Një skenë e pazakontë është regjistruar të mërkurën pasdite në Prizren, ku një 28-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi sulmoi fizikisht zyrtarët policorë.
Burime të Gazetës Sinjali brenda hetimeve bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 18:30, në rrugën “Adem Jashari”, kur patrulla policore ndaloi T.Ç, 28 vjeç, dhe e gjobiti për kundërvajtje.
Por, në vend që ta pranojë masën, i riu e shqeu gjobën para policëve dhe iu afrua me sjellje arrogante, duke i sulmuar fizikisht. Si pasojë, dy policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Pavarësisht rezistencës, zyrtarët arritën ta fusin nën kontroll dhe ta shoqërojnë në zyrat e hetimeve rajonale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij pritet të ngrihet padi për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga organet kompetente në Prizren./Gazeta Sinjali/