Rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë e më shumë. Zakonisht viktima janë gratë, por ka raste kur edhe anëtarët e tjerë të familjes përjetojnë dhunë psikike e fizike. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë, në rrugën “Sadik Rama” në Arbanë të Prizrenit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë disa vëllezër dhe halla e tij, pas një mosmarrëveshje të momentit, që eskaloi në sulm. Sipas informatave të para, i dyshuari E.K., 25-vjeçar ka sulmuar dy vëllezërit e tij dhe hallën.
Motivi i sulmit ndaj familjarëve ishte një zënkë për një pëllumb, që shkaktoi telashe në këtë familje, për çka u desh të intervenonte Policia.
Mësohet se përballë kësaj situate, dikush nga anëtarët e familjes e ka denoncuar rastin dhe ka kërkuar ndihmë. Posa njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar.
I riu është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.