Ajlin Shishko, kandidate për Kuvendin e Prizrenit nga LDK, ka ngritur shqetësimin e banorëve të lagjes Dardania, ku semaforët në hyrje të lagjes janë jashtë funksionit tash e më shumë se katër vite, shkruan 04 Online.
Sipas Shishkos, kjo është një nga nyjet më të frekuentuara të qytetit, ku çdo ditë kalojnë mijëra qytetarë, ndërsa gjatë kësaj kohe janë shënuar aksidente të shumta me dëme materiale dhe lëndime të qytetarëve.
“Mungesa e sinjalistikës e ka kthyer këtë kryqëzim në një pikë të rrezikshme për të gjithë. Unë do të jem zëri i banorëve të Dardanisë për ta zgjidhur këtë problem.”, ka theksuar Shishko.
Ajo ka propozuar si zgjidhje ndërtimin e një rrethrrotullimi funksional ose vendosjen e sinjalistikës moderne që garanton rend dhe siguri në këtë nyje të rëndësishme të komunikacionit.