Kandidati i AAK-së për Kuvendin Komunal të Prizrenit, Hasan Sagdani, ka shpalosur një zotim personal gjatë fushatës zgjedhore, shkruan 04 Online.
Ai ka theksuar se politika nuk duhet të jetë mjet përfitimi personal, por shërbim ndaj qytetarëve.
Sagdani premtoi se nëse fiton mandatin e asambleistit, pagën e tij do ta dhurojë tërësisht për fëmijët e prekur me autizëm dhe sindromë Down, duke e cilësuar këtë si një vendim të marrë me zemër për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Postimi i plotë i Hasan Sagdani
Të dashur miq dhe qytetarë të Prizrenit,
Së pari, ju falënderoj nga zemra për mikpritjen dhe përzemërsinë tuaj gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore. Takimet e shumta, bisedat e ngrohta dhe mbështetja juaj më kanë dhënë forcë dhe motivim shtesë për të vazhduar me përkushtim rrugën time politike.
Që nga fillimi i angazhimit tim publik, bindja ime ka qenë e qartë: politika nuk duhet të jetë mjet përfitimi personal, por shërbim ndaj qytetarëve dhe atdheut tonë.
Prandaj, në mesin e shumë zotimeve që po ndaj me ju në këtë garë për Asamblenë Komunale të Prizrenit, dua të veçoj një vendim personal e të veçantë:
Nëse fitoj besimin tuaj, paga ime si Asambleist do të dhurohet tërësisht për fëmijët e prekur me autizëm dhe sindromë Down.
Ky është një vendim i marrë me zemër, sepse besoj se politika ka kuptim vetëm kur prek jetën e atyre që kanë më shumë nevojë.
1748
@besnikohu