Prokuroria ngre aktakuzë për vrasjen e Hekuran Shalës në Prizren

0
104

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i krimeve të rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B., i cili ndodhet në paraburgim që nga 11 gushti 2025. Ai akuzohet për veprat penale: “Vrasja e rëndë” (neni 173 par.1 nënpar.1.4) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (neni 366 par.1) të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusus” në rrugën “Lapidari” në Prizren, E.B. dyshohet se me dashje dhe në mënyrë dinake privoi nga jeta viktimën Hekuran Shala. Pas një përleshjeje të organizuar mes qenve, ku viktima po largohej nga vendi, i pandehuri e ndoqi dhe e sulmoi papritur me një thikë me teh 10 cm, duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Ekspertiza mjeko-ligjore e datës 22 shtator 2025 vërtetoi se goditjet shkaktuan gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila rezultoi fatale. Po ashtu, thika me të cilën u krye krimi ishte në posedim pa leje valide.

Ndërkohë, sa i përket veprës “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” (neni 346 KPRK), Prokuroria ka njoftuar se rasti po trajtohet nga Departamenti i Përgjithshëm ndaj dy të dyshuarve të tjerë që organizuan luftën me qen.

Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, E.B. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i ngarkohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here