Një 31-vjeçar nga fshati Zhur i Prizrenit është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për pesë raste të vjedhjeve të motoçikletave të ndodhura gjatë muajit shtator.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me inicialet S.G. është ndaluar pas një hetimi intensiv, ndërsa me autorizim verbal të Prokurorit kujdestar, është kryer edhe bastisje në banesën e tij.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se të pesë motoçikletat e vjedhura janë gjetur dhe u janë kthyer pronarëve legjitimë.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë, derisa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme që lidhen me të.