Rama: Ka shkelje të rënda në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

0
76

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shqetësime serioze mbi procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Rama theksoi se në këtë proces po ndodhin “shkelje shumë të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit.” Ai e cilësoi të gjithë gjykimin si jodemokratik që në fillim.

“Ajo që mund të bëjmë institucionalisht është të nxjerrim në pah shkeljet shumë të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit. Që procesi gjyqësor nuk është demokratik, është shumë, shumë e rëndë,” u shpreh ai në Klan Kosova.

Rama kritikoi mënyrën se si nisi dhe po zhvillohet procesi, duke përmendur arrestimin e presidentit të zgjedhur pa aktakuzë dhe mbajtjen në burg të të akuzuarve mbi bazën e një “kërcënimi potencial” pa prova konkrete.

“I gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi. Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akuzë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që nuk ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta,” deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Ai gjithashtu kritikoi Qeverinë e Kosovës për mospërfshirje dhe mungesë angazhimi në këtë proces.

“Unë e kam ndjekur procesin nga kjo anë dhe shkeljet janë të panumërta. Në asnjë vend demokratik, një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot përpara kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore, nuk do të qëndronin duarkryq përpara një procesi të tillë,” tha Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here