Ibrahima Konaté është bërë një nga emrat më të nxehtë të merkatos europiane. Mbrojtësi 26-vjeçar i Liverpool po hyn në vitin e fundit të kontratës së tij, e cila skadon në verën e vitit 2026, duke ndezur garën mes disa gjigantëve të futbollit, shkruan 04 Online.
Sipas mediave angleze, Real Madrid, Arsenal dhe Chelsea janë gati të konkurrojnë për firmën e tij. Liverpool po tenton rinovimin, por ende nuk ka marrëveshje, ndërsa lojtari ka refuzuar ofertat që nuk i përmbushin pritshmëritë financiare.
“Reds” e transferuan Konatén nga RB Leipzig në vitin 2021 për 35 milionë paund dhe ai është bërë pjesë kyçe e mbrojtjes përkrah Virgil van Dijk, me mbi 120 paraqitje në të gjitha garat.
Real Madrid shihet si favorit në këtë garë, duke pasur nevojë për përforcim në qendër të mbrojtjes pas dëmtimeve të shpeshta të Militao dhe Alaba. Por edhe Chelsea dhe Arsenal janë të interesuar seriozisht, me “Bluve” që raportohet se janë gati për një ofertë prej 50 milionë euro.
Liverpool ka vendosur një çmim prej 60 milionë euro për ta lënë tani, por rrezikon ta humbasë falas nëse nuk arrihet marrëveshje deri verën e ardhshme./04 Online