Një operacion i Njësisë së Hetimeve të Narkotikëve në Prizren ka përfunduar me arrestimin e një 28-vjeçari, i cili dyshohet se shpërndante substanca narkotike në qytet, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 26 shtatorit, kur hetuesit e DHTN-Prizren, bazuar në informacione operative, kanë vërejtur një veturë VW Golf 6 ngjyrë hiri që po përdorej për shpërndarje të marihuanës.
Sipas burimeve të Sinjalit, policia i ka dhënë urdhër shoferit të ndalet, por ai ka shtuar shpejtësinë dhe ka tentuar t’i ikë policisë. Gjatë ndjekjes, në rrugët “Faik Emrush” dhe “Evlija Qelebij”, i dyshuari ka hedhur nga dritarja dy qese me substancë narkotike. Pas disa minutash ndjekjeje, ai ka braktisur veturën, por është arrestuar nga hetuesit.
Gjatë kontrollit në trup, në veturë dhe në vendet ku i hodhi qeset, policia ka sekuestruar: Veturën VW Golf VI, 395 euro para kesh, 17 qese me marihuanë, me peshë totale 20.17 gramë, Një grinder, Një telefon mobil.
I dyshuari është identifikuar si E. H. rreth 28-vjeçar. Ai është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren ka lëshuar urdhër për ndalimin e tij për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope dhe analoge” sipas nenit 267 të KPK-së.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar nga DHTN-Prizren./Gazeta Sinjali/