Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin turistik Prevallë të Prizrenit, ku një i mitur është sulmuar fizikisht, ndërsa nga kontrolli policor më pas është zbuluar edhe një armë pa leje, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 6 gusht 2025, rreth orës 16:00, i dyshuari B. Sh., rreth 34-vjeçar pas një zënke verbale e ka kapur për dore dhe e ka goditur me shuplakë në kokë një të mitur, B. K., rreth 17-vjeçar, i cili ishte duke punuar si shitës ambulant në Prevallë. Viktima ka deklaruar para policisë se gjatë incidentit, i dyshuari kishte marrë një armë nga vetura e tij, duke e frikësuar edhe më shumë situatën.
Pas zhvillimeve, më 25 shtator 2025, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, njësitet e hetimeve të Policisë kanë realizuar kontrolle në veturat dhe banesën e të dyshuarit në rrugën “Ahmet Kaqiku” në Ferizaj. Aty janë gjetur dhe sekuestruar: Një pistoletë e markës MOSSBERG MC1 SC, kalibër 9mm Luger, një karikator pistolete, një leje për armë e lëshuar nga RKS, një leje për lëvizje me armë.
Megjithatë, bazuar në hetimet dhe konsultimin me Prokurorin e Shtetit, është konstatuar se posedimi dhe mbajtja e armës ka qenë i paautorizuar.
Prokuroria Themelore në Prizren ka iniciuar ndaj të dyshuarit veprat penale “Sulmi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit”. Deklarata e tij është marrë në prezencën e avokatit të angazhuar, ndërsa me aktvendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë dhe po mbahet në Qendrën e Ndalimit.
Hetimet për këtë rast janë në vijim.