Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se pas bisedimeve me zyrtarë amerikanë në New York, pret një zgjidhje pozitive për çështjen e doganave të larta amerikane për importin e mallrave nga Serbia.
Vuçiq u tha gazetarëve serbë se, megjithëse kishte planifikuar një takim me Sekretarin amerikan të Financave, Scott Bessent, ai takim nuk u realizua, pasi Besent “papritur kishte një takim tjetër”, por shtoi se zyrtarët me të cilët bisedoi – Richard Grenell dhe John Jovanoviq – “ishin në koordinim” me të.
Ai shtoi se me Grenellin, i dërguari special i presidentit amerikan për misione të veçanta, dhe me Jovanoviqin, presidentin e ri të Bankës Eksport-Import (EXIM) të SHBA-ve, diskutoi edhe për tarifat doganore prej 35 për qind për importet nga Serbia.

“Është diskutuar për këtë çështje, por do të jetë një proces më i gjatë. Shpresoj se do ta zgjidhim me sukses. E shoh që është një proces i ndërlikuar, por gjithsesi shoh rreze dielli në fund të tunelit, pavarësisht procedurave shumë të komplikuara”, tha Vuçiq, i cili ndodhet në New York për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Doganat e larta amerikane për importet nga shumë vende hynë në fuqi më 7 gusht, raporton nova.rs.
Tarifat që SHBA ka vendosur ndaj Serbisë janë më të lartat në Ballkanin Perëndimor dhe, pas Zvicrës, ndër më të lartat në Evropë. /Telegrafi/