Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se duhen rregulla të reja, më të shpejta dhe një kornizë ligjore më e mirë, si dhe bashkëpunim mes shteteve, për të luftuar bandat kriminale që po keqpërdorin mangësitë aktuale në sistemin e azilit.
Osmani ka folur në tryezën e organizuar nga ndihmës-sekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau, me temën “Sistemi Botëror i Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”, e cila u mbajt në New York.
Duke rikthyer kujtimet nga koha e saj si refugjate gjatë luftës në Kosovë, Osmani ka theksuar se dëmi më i madh për refugjatët e vërtetë vjen nga abuzimi i këtij sistemi nga bandat kriminale.
Ajo tha se Kosova bashkëpunon ngushtë me shtetet evropiane në luftimin e kriminalizimit dhe abuzimit të sistemit të azilit, duke shtuar se vendi është pionier në disa fusha të rëndësishme të kësaj agjende.
Osmani nënvizoi se është krenare që Kosova është shteti i parë në Evropë që ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në për pranimin e personave nga shtetet e treta të dëbuar nga SHBA-ja, të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
“Jemi shumë krenar, që jemi shteti i parë dhe i vetëm në Evropë, që ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në për shtete të treta, për ta përkrahur agjendën e presidentit Trump për luftimin e migracionit ilegal. Jemi të gatshëm të përkrahim shtetet që kanë nevojë për përkrahjen e Kosovës, ndonëse jemi shtet i vogël”, tha Osmani.
Ajo shtoi se Kosova është bërë gjithashtu shteti i parë që ka harmonizuar me SHBA-në listën e organizatave terroriste, duke përfshirë edhe tre urdhrat e fundit ekzekutivë të presidentit amerikan Donald Trump.
“Kur dikush quhet organizatë terroriste apo kartel, pasi rrezikon sigurinë e SHBA-së, atëherë quhet terroriste edhe në Republikën e Kosovës. Ky lloj bashkëpunimi na duhet, me qëllimin që sistemi të përdoret për të mbrojtur ata që kanë nevojë… Të përfundojë duhen rregulla të reja, më të shpejta e një kornizë ligjore më agjile… Të mos lëmë bashkëpunimin mes rrjeteve kriminale të jetë më i fortë sesa bashkëpunimi mes shteteve”, tha presidentja.