Hoxhaj: Ku është Zona Ekonomike në Prizren? Edhe sa vite duhet të vazhdojë mashtrimi?

0
98

Kandidati për Kuvendin Komunal të Prizrenit nga partia GUXO, Petrit Hoxhaj, ka ngritur shqetësimin për mungesën e realizimit të Zonës Ekonomike, një projekt që sipas tij është premtuar vazhdimisht, por ka mbetur vetëm në letra dhe fjalime elektorale, shkruan 04 Online.

Ai theksoi se investitorët e huaj nuk mund të tërhiqen me propagandë, por kanë nevojë për siguri ligjore, infrastrukturë dhe institucione serioze, gjëra që deri tani nuk janë ofruar.

Hoxhaj shtoi se edhe Shoqata e Bizneseve është lodhur nga pritja, duke dëgjuar çdo vit të njëjtat fjalë pa asnjë vepër konkrete, ndërkohë që qytetarët dhe ndërmarrësit vendorë presin zgjidhje reale.

“Prizreni ka nevojë për veprime, jo vetëm për fjalë,” u shpreh Hoxhaj, duke kërkuar fundin e mashtrimeve dhe një qasje të re ndaj zhvillimit ekonomik.

Postimi i plotë i Petrit Hoxhaj

Ku është Zona Ekonomike në Prizren?

Prej vitesh, qytetarët e Prizrenit, bizneset vendore dhe investitorët potencialë të huaj po dëgjojnë të njëjtin premtim: “Zona Ekonomike do të ndërtohet së shpejti.” Por pyetja që shtrohet sot, me plot të drejtë, është: Ku është ajo zonë? A është gati apo është vetëm në letër dhe në fjalimet elektorale?

Edhe sa vite duhet të vazhdojë mashtrimi?

Investitorët e huaj nuk mund të sillen me propagandë e me konferenca për shtyp. Ata kërkojnë siguri ligjore, infrastrukturë të gatshme dhe institucione serioze. Por çfarë u ofrohet? Premtime boshe, rrugë pa përfundim, dhe projekte që nuk lëvizin nga vendi. Edhe sa vite do t’u thuhet atyre se “vitin tjetër fillon ndërtimi”?

Edhe sa vite duhet të mashtrohet Shoqata e Bizneseve?

Shoqatat e bizneseve, që përfaqësojnë zërin e ndërmarrësve vendorë, janë lodhur duke pritur. Të njëjtit njerëz që kërkojnë rritje të prodhimit dhe eksportit, janë ata që për çdo vit dëgjojnë fjalë pa vepra. A është kjo mënyra si trajtohen njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë lokale?

Edhe sa mandate duhet të kalojnë me premtime boshe?

Qytetarët nuk kanë më durim për premtime që zgjatin vetëm deri në zgjedhje. Çdo mandat politik vjen me zotime të reja për “fillimin e ndërtimit”, por çdo mandat ikën pa asnjë përmbushje. Mjaft më me këtë qasje. Prizreni ka nevojë për veprime, jo vetëm për fjalë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here