Kandidati i AAK-së për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka prezantuar planin e tij për përmirësimin e jetës së pensionistëve në qytet, gjatë një vizite që i ka bërë sot kësaj kategorie sociale, shkruan 04 Online.
Sipas Krasniqit, pensionistët do të kenë mbështetje të drejtpërdrejtë përmes barnatores së pensionistëve, ku barnat esenciale do të jenë falas, ndërsa barnat tjera do të subvencionohen 50%, përmes përfaqësimit në vendimmarrje përmes një grupi këshilltarësh të dedikuar, si dhe shërbimit të geriatrisë për kujdes shëndetësor në shtëpi, me mundësinë e konsultimeve nga ekspertë.
Krasniqi premtoi se pensionistët nuk do të jenë të harruar, por do të nderohen dhe përkujdesen siç e meritojnë.
Postimi i plotë i Besnik Krasniqit
Pensionistët tanë janë gurthemeli ynë!
Ata sakrifikuan që ne sot të gëzojmë lirinë dhe jetën që kemi. Për këtë arsye:
Do ta themelojmë Barnatoren e Pensionistëve – barnat esenciale falas, barnat tjera të subvencionuara me 50%.
Pensionistët do të kenë zërin e tyre në vendimmarrje, përfaqësuar në grupin e këshilltarëve të Kryetarit.
Do të themelojmë Shërbimin e Geriatrisë në kujdesin shëndetësor shtëpiak dhe do të inkuadrojmë ekspertizën e tyre si konsulentë.
Pensionistët nuk do të jenë të harruar, por të nderuar e të përkujdesur siç e meritojnë.
#174