Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka zhvilluar një takim me arsimtarët e shkollave të qytetit, ku ka diskutuar mbi çështje thelbësore që lidhen me arsimin dhe zhvillimin e nxënësve, shkruan 04 Online.
Në fokus të diskutimit ishte mbështetja e stafit shtesë për nxënësit me nevoja të veçanta, duke siguruar ndihmë dhe kujdes gjatë gjithë procesit mësimor. Selmanaj tha se kjo është një domosdoshmëri për të garantuar arsimin e barabartë dhe të përfshirë për çdo fëmijë.
Një tjetër pikë e rëndësishme që ai theksoi ishte ofrimi i shërbimit të logopedisë një herë në javë për ciklin e ulët, me synim që fëmijët të përmirësojnë aftësitë gjuhësore dhe të marrin mbështetjen e nevojshme në mjedisin shkollor.
Postimi i plotë i Driton Selmanaj
Sonte pata kënaqësinë të takoj arsimtarët e shkollave tona për një bisedë të hapur mbi çështje themelore që lidhen me arsimin dhe zhvillimin e nxënësve.
Përveç diskutimeve të përditshme që lidhen me funksionimin e shkollave dhe procesin mësimor, fokusova edhe një çështje shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme: mbështetjen e stafit shtesë për nxënësit me nevoja të veçanta.
Kjo mbështetje do të shërbejë gjatë gjithë procesit mësimor, duke siguruar kujdes dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për ata që kanë nevoja më të madha apo më specifike.
Gjithashtu, diskutova edhe për shërbimin e logopedisë, i cili do të ofrohet një herë në javë për ciklin e ulët, duke ndihmuar fëmijët të përmirësojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe të ndihen të mbështetur në mjedisin shkollor.
Takimi ishte jashtëzakonisht produktiv – pjesëmarrësit shkëmbyen ide, sugjerime dhe mbështetje për këtë plan, duke treguar përkushtimin dhe vullnetin e tyre për të ndihmuar çdo nxënës. Ky është një hap konkret drejt një arsimi të përfshirë, të kujdesshëm dhe të barabartë, ku çdo fëmijë ka mundësinë të mësojë dhe të zhvillohet në një mjedis mbështetës.
#PrizreniPertej#DritonSelmanaj