Kryetari i Bashkësisë Lokale Vlashnje–Kobaj–Muradem, Petrit Hoxhaj, ka reaguar pas mosftesës në ceremoninë e përurimit të fushës së futbollit të shkollës në fshatin Kobaj, shkruan 04 Online.
Ai e quajti këtë veprim të Komunës së Prizrenit si “të pafalshëm dhe të papranueshëm”, duke theksuar se mosftesa e përfaqësuesit zyrtar të tre fshatrave përbën “mosrespekt ndaj banorëve”.
Hoxhaj tha se Bashkësia Lokale nuk është “dekor për protokollet e komunës”, por një institucion i ligjshëm që duhet të respektohet si ura mes qytetarëve dhe pushtetit lokal.
Reagimi i plotë i Petrit Hoxhaj
Reagim
Është e pafalshme dhe e papranueshme mënyra se si Komuna e Prizrenit po e trajton institucionin që vet e ka themeluar – Kryetarin e Bashkësisë Lokale Vlashnje–Kobaj–Muradem. Në përurimin e fushës së futbollit të shkollës në fshatin Kobaj, nuk u ftua përfaqësuesi zyrtar i këtyre tre fshatrave.
Ky veprim është një mosrespekt i hapur ndaj banorëve të Kobajt. Si mund të organizohet një përurim për nxënësit dhe komunitetin e fshatit, pa qenë të pranishëm përfaqësuesit e tyre ligjorë? Kjo nuk është thjesht një lëshim formal, por një nënçmim i zërit dhe vlerës së banorëve të tre fshatrave.
Bashkësia Lokale nuk është dekor për protokollet e komunës por është institucion i ligjshëm, i zgjedhur për të qenë ura mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. Injorimi i Kryetarit të Bashkësisë Lokale do të thotë injorim i qytetarëve të Vlashnjës, Kobajt dhe Murademit.
Ne nuk kërkojmë favore, por respekt institucional. Përurimet duhet të jenë momente bashkimi e mirënjohjeje, jo skena marketingu politik.
Mandati im si Kryetar i Bashkësisë Lokale zgjat deri në vitin 2028, dhe si i tillë pres reflektim dhe respektim të institucionit që Komuna vet e ka themeluar.
Me respekt,
Petrit Hoxhaj
Kryetar i Bashkësisë Lokale Vlashnje, Kobaj, Muradem.