Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar se përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm për çdo familje mbetet një nga prioritetet kryesore për mandatin e ri. Ai gjithashtu bëri me dije për arritjet gjatë mandatit të kaluar, duke përmendur vendosjen e impianteve të reja në Shadërvan për parandalimin e fatkeqësive si zjarret.
“Furnizimi i vazhdueshëm dhe i sigurt me ujë të pijshëm është nevojë thelbësore për çdo familje dhe për komunitetin tonë në përgjithësi. Mandati ynë i ri do të përqendrohet fuqishëm në këtë aspekt, për të garantuar që asnjë shtëpi në Prizren të mos mbetet pa këtë shërbim jetik” – tha Kryetari Totaj.
Ai shtoi se gjatë mandatit të kaluar është bërë një hap i rëndësishëm me vendosjen për herë të parë të impianteve në lagjen Shadërvan, që do të ndihmojnë në reagimin e shpejtë në rast fatkeqësish, si zjarret.
“Impiantet e vendosura në Shadërvan janë një shembull i qartë i përkushtimit tonë për sigurinë e qytetarëve. Këto do të jenë ndihmë e madhe për ekipet e emergjencës në raste krizash dhe do të kontribuojnë në mbrojtjen e jetës dhe pronës” – theksoi Totaj.
Komuna e Prizrenit vazhdon punën për t’i avancuar projektet e zhvillimit dhe për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.