Interi ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme mbrëmë ndaj Sassuolos me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së katërt në Serie A, shkruan 04 Online.
Megjithatë, rezultati mund të ishte edhe më i thellë për “Nerazzurrët”, po të mos ishte për paraqitjen e jashtëzakonshme të portierit të Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç.
Trajneri i Interit, Christian Chivu, pas ndeshjes nuk kurseu fjalët e mira për gardianin shqiptar:
“Skuadra mund të bëjë më mirë, si në qarkullimin e topit ashtu edhe në thellësinë e sulmit. Nuk është e lehtë ta thyesh një bllok të ulët, por qëndrimi ishte i duhur dhe kemi treguar edhe cilësi. Për fat të keq pritjet e portierit të tyre nuk na lejuan të mbyllnim herët ndeshjen. E patëm përballë një portier në formë të shkëlqyer. Jam i kënaqur që arritëm të vuajmë deri në fund, është një provë karakteri”, tha Chivu për “DAZN”./04 Online
Muriç, i cili këtë verë u transferua nga Anglia drejt Italisë për t’iu bashkuar Sassuolos, po konfirmohet si një nga pikat më të forta të skuadrës “neroverdë” me paraqitjet e tij mbresëlënëse.