Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe Shef i Departamentit të Psikologjisë, Prof. As. Dr. Mytaher Haskuka, ndan vlerësimet e tij për gjendjen aktuale politike në vend, sfidat kryesore zhvillimore dhe rolin e Lëvizjes Vetëvendosje në transformimin e skenës politike.
Gjithashtu, ai flet për rëndësinë e institucioneve, ndikimin e ndërkombëtarëve, si dhe për përgjegjësitë e intelektualëve dhe akademikëve në zhvillimin e diskursit politik.
Në këtë bisedë të thelluar, Haskuka sjell edhe perspektivën e tij si drejtues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, duke reflektuar mbi ndikimin e situatës sociale dhe politike në shëndetin mendor të të rinjve dhe rolin e arsimit të lartë në përballimin e këtyre sfidave
“Bota sot”: Si e vlerësoni ju gjendjen politike në vend dhe sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova sot?
Mytaher Haskuka: Kosova ka shumë sfida zhvillimore që lidhen me trashëgiminë e një ekonomie të dobët, sistem arsimor që nuk mund të pajisë të rinjtë me aftësi dhe shkathtësi të shekullit digjital, probleme në shëndetësi, reformat në këto sfera janë në drejtimin e duhur dhe besoj që rezultatet do të shihen në një afat të mesëm.
Por për mua, dy sfida kryesore në vend që bllokojnë perspektivën zhvillimore të Kosovës janë sistemi i drejtësisë dhe interferenca apo agresioni i Beogradit në Kosovë. Një hulumtim së fundi për sistemin e drejtësisë ka treguar që një qytetari të zakonshëm i duhen rreth 9 vite nëse adreson një çështje në gjykatë. Pra, për një padi civile, qytetarët për drejtësi duhet të presin mesatarisht rreth 9 vite, në shumë raste pas vendimit të gjykatës, vendimet me ankesa shkojnë në nivele më të larta të gjyqësorit dhe drejtësia vonohet edhe më shumë. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Për këtë problematikë janë bërë ligje për reformim, nga ligji për Vetingun deri tek ligjet specifike për prokurorinë dhe instanca të tjera, por fatkeqësisht këto ligje janë bllokuar nga ana e opozitës duke i dërguar ato në Gjykatën Kushtetuese.
Në anën tjetër, interferencat e Beogradit të gjithë e dimë, nëpërmjet instrumenteve të tyre në Kosovë, Beogradi ka kontrolluar një pjesë bukur të madhe të territorit, por edhe të politikave. Këtu kemi zhvillime pozitive, Kosova ka kthyer sovranitetin territorial në pjesën veriore, duke eliminuar strukturat paralele dhe grupet kriminale që e kontrollonin atë pjesë. Duke e kthyer shtetin dhe institucionet shtetërore, tani qytetarët janë fuqizuar dhe nuk kërcënohen nga grupe kriminale. Tani duhet të mirëmbahen këto të arritura dhe nuk bën që të lejohet kthimi i grupeve kriminale në veri të Kosovës.
Së fundi kemi sfidën e krijimit të institucioneve apo funksionalizimi i Kuvendit të Republikës. Ka shumë debate këtu por duhet të identifikojmë problemin ashtu si është. Bllokimi, ashtu si po quhet në media, është produkt i opozitës dhe i vonesave të Gjykatës Kushtetuese. Opozita disa herë këtë proces e adresoi tek Gjykata Kushtetuese e cila për vendime caktoi masa të përkohshme, totali i këtyre ditëve të kaluara është më shumë se 112 ditë. Pra, nga 6 muaj të bllokadës, rreth 4 muaj të bllokadës kaluan në pritje te vendimeve të gjykatës. Kjo masë e përkohshme e fundit është tërësisht e panevojshme, për një vendim të thjeshtë të bllokohet kuvendi për një muaj të tërë. Për mua kjo është skenar për interferencë në zgjedhje komunale. Sidoqoftë, qytetarët e dinë që Lëvizja Vetëvendosje propozoi kandidatën për kryetare Albulena Haxhiun e cila pat thënë që nëse nuk votohet nga shumica, do të tërheq kandidaturën. Por, më shumë se 5 muaj deputetët e opozitës abstenuan nga votimi, pasi që u detyruan të votojnë pas vendimit të gjykatës dhe nuk votuan për deputeten Haxhiu në gusht Lëvizja Vetëvendosje propozoi kandidatë të tjerë dhe në fund u votua deputeti Dimal Basha. Për mendimin tim me votimin e kryetarit dhe të shumicës së nënkryetarëve, Kuvendi i Kosovës është funksionalizuar, por ja që prapë duhet të presim edhe një vendim të gjykatës.
“Bota sot”: Si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me përvojë tuaj, si i shihni ndryshimet dhe ndikimin që kjo lëvizje ka pasur në arenën politike?
Mytaher Haskuka: Fitoret e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ndikuar në ndryshime të mëdha si në politikë, por edhe në jetën e qytetarëve. Së pari, Lëvizja ka ndalur shumë procese negative për Kosovën, ka kthyer besimin e qytetarëve në institucione, sipas UNDP, tanimë korrupsioni nuk është problemi kryesor i qytetarëve. Bruto produkti vendor deri në vitin 2020 ka qenë rreth 6 miliardë Euro, ndërsa në vitin 2024 ka kaluar 10 miliardë Euro, kjo është një rritje historike me më shumë se 60%. Më shumë se 60% është rritur edhe buxheti i Kosovës, me rritjen e tyre janë rritur edhe pagat në sektorin publik, mesatarisht janë rritur për 60%. Eksportet janë trefishuar. Për herë të parë kemi shtesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë. Pra, buxheti i Kosovës po rritet dhe ai po shpërndahet tek familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Tani, sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është vendi më demokratik me qeverisjen më transparente në rajon. Që nga pavarësia deri në vitin 2024 nuk kemi pasur asnjë qeveri, e cila ka kryer mandatin e saj 4-vjeçar, edhe kjo është një arritje në vete. Por ka ende shumë punë për të bërë.
“Bota sot”: Si e komentoni pezullimin e dialogut nga SHBA-ja?
Mytaher Haskuka: Specifikisht, është pezulluar planifikimi i dialogut strategjik. Por, qytetarët duhet të dinë që nënshkrimi i dialogut strategjik është bërë me qeverisjen Kurti në janar të këtij viti. Tani, është pezulluar planifikimi i këtij dialogu strategjik. Përndryshe Kosova është në dialog me SHBA-në dhe do të jetë gjithmonë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë ushtrinë me armatim, që tanimë është blerë nga SHBA-ja, do të vazhdojmë ndërlidhjet ekonomike dhe në të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Bota sot”: Cila është përgjegjësia e intelektualëve dhe akademikëve në zhvillimin e diskursit politik në Kosovë?
Mytaher Haskuka: Premisa kryesore e shkencës është kërkimi i së vërtetës, premisa kryesore e filozofisë është dashuria ndaj dijes, pra dashuria për të vërtetën. Andaj akademikët dhe intelektualët si derivate të filozofisë dhe shkencës duhet të jenë në kërkim të vërtetës dhe në funksion të saj. Etika është pikënisja në kërkimin e së vërtetës, pa të vërtetë nuk ka etikë dhe pa të vërtetë nuk ka shkencë. Sinqeriteti, etika, shkenca dhe e vërteta janë NJË. Fatkeqësisht tek ne kemi njerëz nga akademia të cilëve u mungon ky rezonim, dhe për hir të interesave afatshkurtra dëmtojnë kredibilitetin e akademisë dhe të figurës së intelektualit. Akademia është përgjegjëse që të mbaj anën e së vërtetës, dhe duhet të thotë të vërtetën pa marrë parasysh konsekuencën. Fatkeqësisht disa individë kanë dëmtuar imazhin e akademisë, por prap mendoj që Kosova do të ishte më mirë po që se do të kishte më shumë profesorë të shkencave në diskursin politik. Kjo do të kontribuonte më shumë debatit me fakte e më pak paragjykime, më shumë kritikë racionale bazuar në veprime apo mosveprime e më pak sharje dhe fyerje personale.
“Bota sot”: Tani do të donim të flisnim për rolin tuaj aktual si drejtues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Cilat janë prioritetet tuaja kryesore në këtë pozicion?
Mytaher Haskuka: Po ne, si Departament tani së fundi kemi akredituar edhe një drejtim të ri të nivelit Master, programin e Psikologjisë Klinike dhe Komuniteti dhe tani kemi tre programe akademike. Kemi numër të limituar të stafit, me 7 profesorë dhe 4 asistentë kemi arritur të bëjmë shumë punë dhe njëkohësisht të ngrisim kualitetin e arsimit. Numri i publikimeve në revista shkencore ndërkombëtare është ndër më të lartat në UP, dhe studentët tanë pasi që diplomojnë, vazhdojnë studimet e tyre në universitete ndërkombëtare me renome. Tani jemi duke e organizuar Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Psikologjisë, e cila do të mbahet më 9 dhe 10 tetor dhe besoj që do të jetë një sukses i rrallës. Kemi edhe shumë projekte ndërkombëtare si me Bashkimin Evropian, ashtu edhe me organizatat ndërkombëtare dhe ato të Kombeve të Bashkuara si UNICEF-i. Me siguri që bashkëpunimi ndërkombëtar do të thellohet.
“Bota sot”: Si ndikon situata sociale dhe politike e Kosovës në shëndetin mendor të të rinjve, dhe si mund universiteti të kontribuojë në përballimin e këtyre sfidave?
Mytaher Haskuka: Po ne jemi qenie shoqërore dhe ndikohemi nga zhvillimet politike, realisht, të rinjtë ndikohen më shumë. Nëse shikojmë hulumtimet, ne kemi një rini të shëndoshë, në hulumtimin e fundit ESPAD për përdorimin e substancave narkotike, që është kryer në 36 vende të Evropës, Kosova qëndron mirë pra në fund të listës me përqindjen e përdorimit të alkoolit, kanabisit dhe të drogave tjera, por kemi zhvillime negative me përdorimin e duhanit. Ngacmimi dhe bullizimi janë një problem shoqëror që paraqitet edhe tek të rinjtë, por unë këtë problem e shoh si një problem të modeluar. Fatkeqësisht mjafton të hapim një debat televiziv dhe do të shohim fyerje, sharje dhe një nivel mjaft të ulët komunikimi, e si potencova kjo fatkeqësisht modelohet edhe nga të rinjtë. Duhet të punojmë në modele të shëndosha që fëmijët të kenë referencë respektin dhe dinjitetin.
“Bota sot”: A ka plane për bashkëpunime ndërkombëtare ose zhvillime të reja në fushën e psikologjisë që po i implementoni?
Mytaher Haskuka: Momentalisht, si departament jemi duke punuar në shumë hulumtime, por personalisht mund të veçoj punën që bëhet në hulumtimin e dhunës në familje, përdorimin e substancave tek të rinjtë, ekstremizmin, tani do të kemi një botim për fëmijët me nevoja të veçanta. Ka edhe shumë projekte të tjera, por për këtë do të duhej një intervistë e veçantë.
“Bota sot”: Si ndikon situata sociale dhe politike e vendit në shëndetin mendor të të rinjve dhe në rolin që luan universiteti për këtë çështje?
Haskuka: Shëndeti mendor është një koncept që tani po kuptohet më lehtë, kemi shumë të diplomuar që punojnë si psikologë; nga psikologët shkollorë, psikologë që punojnë në organizata të ndryshme, e deri tek psikologët klinikë, të gjithë këta kanë kontribuar që të kuptohet mirë roli i psikologut dhe rëndësia e shëndetit mendor në shoqëri. Si potencova, individi jeton në ekosistem, me familjen, vendbanimin, shkollën, organizatën ku punon dhe të gjitha këto ndikohen nga politikat dhe nga ndryshimet që ndodhin në shoqëri, por edhe në skenën globale. Një gjë që e kam vërejtur është që kemi nje ripërtrije të traumave si pasojë e luftërave të fundit në Ukrainë dhe Gaza, dhe pamjeve të cilat i shohim në rrjetet sociale dhe televizione. Edhe gjuha e përçmimit, paragjykimit dhe e urrejtjes, kanë ndikime negative, puna jonë është që të edukojmë gjeneratat e reja, ashtu që ato të ballafaqohen më lehtë dhe më mirë me këto sfida. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me Shoqatën e Psikologëve Shkollorë me të cilët jemi duke punuar në projekte që afektojnë fëmijët, për t`i mbrojtur ata nga ngacmimet, bullizimi, për të krijuar ambiente stimulues nëpër shkolla, shkolla që e mbajnë të lartë kuriozitetin e fëmijëve dhe motivimin për dije. Por kemi edhe shumë projekte specifike me UNICEF, me EUDA (Agjenci për Droga e Bashkimit Evropian) që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të adoleshentëve dhe të rinjve, dhe parandalimin e përdorimit të substancave psikoaktive.