Ndeshja dramatike mes Liverpool dhe Atletico Madrid në “Anfield” nuk përfundoi vetëm me festën e golit të vonë të Virgil Van Dijk, por edhe me tensione në minutat shtesë.
Kamerat kapën momentin kur trajneri i Atletikos, Diego Simeone, u përplas verbalisht me një tifoz të Liverpool-it, Jonathan Poulter, i cili sipas raportimeve lëshoi një sërë fyerjesh ndaj teknikut argjentinas.
Simeone më vonë kërkoi falje publike për reagimin e tij, por nuk ngurroi të theksonte se “nevojitet një ndryshim kulturor në tribuna”.
Nga ana tjetër, Poulter reagoi në rrjetet sociale duke e quajtur Simeonen një “frikacak”, duke ndezur edhe më shumë polemikat.
Sipas Mundo Deportivo, rreziku tani është mbi klubin anglez, pasi UEFA mund të mbajë përgjegjës Liverpoolin për sjelljen e tifozëve të tij.
Rregullorja e qartë e UEFA-s thekson se klubet janë përgjegjëse për çdo gjest, fjalë apo veprim provokues të tifozëve që nuk përputhet me frymën sportive.
Dënimi më i lehtë mund të jetë një gjobë, por ekziston edhe skenari i një mbylljeje të pjesshme të stadiumit, me masë pezullimi për dy vjet.
Vendimi pritet të bazohet në raportin e delegatit të ndeshjes. /GazetaExpress/