Poeti i ri nga Prizreni, Diell Gashi prezanton përmbledhjen poetike “Rinia jonë që ikën”, një seri poezish që eksploron temat e mëdha si vdekja, dashuria, humbja dhe koha. Poezitë e tij kombinojnë imazhe të fuqishme, surrealizëm lirik dhe referenca nga T.S. Eliot e Sylvia Plath, duke krijuar një zë të ri dhe të guximshëm në poezinë moderne, shkruan 04 Online.
Ky debutim tregon një autor me imagjinatë të pasur dhe kulturë letrare të gjerë, që kërkon të ndërtojë një botë poetike autonome dhe të lidhë përvojën personale me influencat e mëdha të poezisë bashkëkohore.
Si më poshtë ju prezantojmë shënimin e recensuesit, Prof. Asoc. Dr. Sazan Kryeziu
Përmbledhja me poezi “Rinia jonë që ikën” nga poeti i ri Diell Gashi përfaqëson një ambicie të sinqertë të autorit: dëshirën për të hyrë në rrethin e gjerë të poetëve të cilët nuk synojnë vetëm të shprehen, por të krijojnë një botë poetike autonome. Për Diell Gashin, titulli “Rinia jonë që ikën” nuk është një deklaratë e thjeshtë; është një obsesion që përshkon çdo poezi – ndonjëherë haptazi, ndonjëherë i fshehur nën shtresa imazhesh, qasje intertekstuale dhe një erotizëm i mbuluar me një vel melankolie.
Referencat e shpërndara, nga T.S. Eliot te Sylvia Plath, tregojnë jo vetëm një kulturë të gjerë leximi, por edhe një vetëdije të thellë për pasurinë e traditës letrare të modernizmit perëndimor që poeti e mbart me vete. Kjo është ajo që quhet “ankthi i ndikimit” në formën e tij më të pastër: poeti i ri e di që po hyn në një territor ku risitë e gjuhës dhe të stilit të poezisë moderne tashmë janë përcaktuar dhe eksperimentuar më herët, por megjithatë përpiqet t’i thotë ndryshe, duke e futur lexuesin në një labirint imazhesh dhe kujtimesh që nuk janë as krejtësisht biografike e as krejtësisht fiksionale.
Poezitë ndërtohen mbi fragmentaritetin dhe surrealizmin lirik, shpesh duke e mohuar vazhdimësinë rrëfimtare në favor të momentit emocional dhe imazhit befasues. Për shembull, vargje goditëse si “Bambi ka dy këmbë të thyera” ose “gjymtyrët e mia tani janë flauta” tek poezia “Bambi/Bërrylat” kanë një forcë të menjëhershme pamore, por herë pas here shkëputen nga boshti emocional i poezisë. Vërehet gjithashtu një prirje e dukshme drejt universales përmes përvojës intime – një tipar që çmohet tek poetët që arrijnë të shenjtërojnë privatësinë e përvojës.
Këtu dëgjojmë një zë që, edhe pse i ri, nuk ka frikë nga temat e mëdha: vdekja, dashuria, humbja, koha. Poezitë “Himni i Vdekjes”, “Dashuria ime është trekëmbëshi im”, ose “Harabelat që ikën” përcjellin një vetëdije mbi vdekshmërinë dhe të pakthyeshmen, duke e lidhur jetën me një ndjenjë të përhershme fluturimi.
Diell Gashi është një poet që nuk iu është dorëzuar ndikimeve të mëdha, por as nuk i ka kapërcyer plotësisht ato. Ai ndodhet në një duel me hijet e modernistëve dhe postmodernistëve, duke kërkuar të gjejë një zë të vetin brenda një orkestre zërash të huaj. Rezultati shpesh është hipnotik, herë i pabarabartë, por gjithmonë i mbushur me energjinë e një kujtese që refuzon të shuhet.
“Rinia jonë që ikën” është një debutim (ose një hap i hershëm poetik) që shfaq një imagjinatë të pasur, një kulturë të gjerë letrare dhe një aftësi të lindur për të krijuar imazhe të paharrueshme. Sfida kryesore për autorin do të jetë bashkimi më organik i këtyre imazheve me një qendër të fortë strukturore dhe tematike, në mënyrë që poezia të mos mbetet thjesht një mozaik i fragmentuar, por të bëhet një rrjedhë natyrale dhe e qëndrueshme mes ndjenjës dhe mendimit.
Diell Gashi është një poet që ndodhet në fazat e hershme të duelimit me pararendësit më të famshëm të poezisë moderne: në këtë duel, ai përdor të gjitha armët e “ankthit të ndikimit”: devijimin, reduktimin dhe rikthimin e zërave të shkuar. Poezia ende është në një formë fragmentare dhe mozaike, por kjo është një fazë natyrale në zhvillimin e një zëri që synon të jetë i pavarur. Nëse Dielli arrin të krijojë një unitet organik mes intertekstualitetit dhe përvojës personale, atëherë ai do të ketë kaluar nga një dishepull i guximshëm në një zë të domosdoshëm të kohës së tij.