Kandidatja për Kuvendin e Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fexhrie Arifi-Kastrati, është zotuar se do të përkushtohet dhe do të ngre zërin që kontribuon për një Prizren më të zhvilluar, të barabartë dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët, duke vënë theksin tek roli i grave të reja në ekonomi.
Ajo ka theksuar se gratë e reja përbëjnë një forcë të pashfrytëzuar në fushën e inovacionit dhe krijimtarisë, por shpesh përballen me barriera që u pamundësojnë zhvillimin e plotë të potencialit të tyre. Për këtë arsye, një nga prioritetet e saj si anëtare e ardhshme e Kuvendit Komunal do të jetë mbështetja e grave që duan të hyjnë në botën e biznesit.
Arifi-Kastrati njëherit ka thënë se do të kontribuoj rreth politikave që për qëllim kanë krijimin e fondeve dhe programeve të posaçme financiare dhe trajnuese, që do t’i ndihmojnë gratë e reja të themelojnë biznese, të zhvillojnë idetë e tyre dhe të marrin këshillim profesional për menaxhimin. Një tjetër synim është krijimi i mundësive për networking dhe bashkëpunim, përmes organizimit të aktiviteteve që lidhin sipërmarrëset mes tyre dhe me tregun.
Një pjesë e rëndësishme e planit të saj lidhet edhe me përmirësimin e infrastrukturës së biznesit në Prizren, përfshirë hapësira të dedikuara për start-up-e dhe ndërmarrësi të grave.
Ajo është shprehur e bindur se rritja e bizneseve të vogla e të mesme do të përkthehet në hapje të vendeve të reja të punës, rritje të mirëqenies dhe zhvillim të përgjithshëm të qytetit. Në këtë kuadër, Arifi-Kastrati premton përkrahje për qasjen në tregjet lokale e ndërkombëtare, mbështetje për inovacionin dhe teknologjinë, si dhe lehtësim të procedurave ligjore e administrative për sipërmarrësit.