Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së SHBA-ve (SATMO), Kolonel Thomas Melton, raporton Sinjali.
Fillimisht, Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje Kolonelit Melton dhe e falënderoi për kontributin dhe angazhimin e ekipeve të SATMO-s në ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Gjithashtu, u vlerësuan lartë të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe performanca e dalluar që pjesëtarët tanë kanë treguar gjatë aktiviteteve me ekipet e SATMO-s”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit u diskutua edhe rreth aktiviteteve të zhvilluara deri më tani, duke përfshirë mbështetjen e ekipeve të SATMO në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesin e validimit të njësive, si pjesë e planit të zhvillimit të Forcës.
Për më tepër, u diskutua për planin trevjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së.
Në përfundim të takimit u theksua se “mbështetja nga ekipet trajnuese të SATMO-s është shumë e rëndësishme për avancimin e profesionalizmit të njësive të FSK-së.”