Qendërmbrojtësi Gentrit Halili ka vazhduar kontratën me skuadrën e Ballkanit, duke u bërë pjesë e klubit nga Suhareka deri në verën e vitit 2028.
Lajmin për rinovimin e kontratës e ka bërë të ditur Ballkani të premten mbrëma.
Halili, 23-vjeçar, iu bashkua Ballkanit në vitin 2023 nga Ferizaj dhe deri tani ka zhvilluar 74 ndeshje, ku ka kontribuar me katër gola dhe një asistim.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se Gentrit Halili ka rinovuar kontratën me FC Ballkanin dhe do të qëndrojë pjesë e ekipit tonë deri në vitin 2028. 23-vjeçari është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës që nga viti 2023, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në mbrojtje dhe duke dhënë edhe kontribut në sulm kur është e nevojshme. Rinovimi i kontratës së tij është një sinjal i qartë për rëndësinë që ka për të ardhmen e Ballkanit dhe për rolin që do të vazhdojë të ketë në ndërtimin e sukseseve të ekipit”, ka shkruar Ballkani.