Përfitojnë 155 fermerë, Totaj thotë se mbështetja e fermerëve është prioritet i Komunës së Prizrenit

0
92

Në një ceremoni të organizuar sot nga Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, u bë ndarja e mjeteve bujqësore për 155 fermerë, nga gjithsej 333 përfitues të projektit “Furnizimi me mekanizëm bujqësor – me bashkëfinancim”.

Fermerët përfituan motokultivatorë, pjatore me disqe, trina, mbjellëse misri e gruri, pllugje dhe atomizerë, me qëllim modernizimin e bujqësisë, rritjen e cilësisë së punës në tokë dhe uljen e shpenzimeve.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i pranishëm në këtë ngjarje, u shpreh: “Bujqësia është një sektor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të komunës sonë. Për këtë arsye, mbështetja e fermerëve ka qenë dhe mbetet një ndër prioritetet tona kryesore”.

Ai theksoi se Komuna e Prizrenit po investon në mënyrë të vazhdueshme në sektorin bujqësor: “Me këtë projekt po krijojmë mundësi më të mira për fermerët tanë, duke u ndihmuar që ta modernizojnë mekanizimin bujqësor, të kursejnë kohë dhe ta rrisin prodhimtarinë”.

Totaj paralajmëroi se mbështetja për fermerët do të vazhdojë edhe më tej: “Ky është vetëm fillimi, sepse faza e dytë e ndarjes së mjeteve bujqësore do të realizohet së shpejti. Angazhimi ynë është që asnjë fermer të mos mbetet pa përkrahje”.

Ky projekt, që po zbatohet me bashkëfinancim, është hap i rëndësishëm drejt modernizimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Komunën e Prizrenit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here