Shkeljet e rregullave të komunikacionit po vazhdojnë të jenë një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve në vendin tonë. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për kujdes dhe respektim të ligjeve në trafik, situata në terren mbetet shqetësuese, shkruan 04 Online.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 2 mijë e 201 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit – një shifër alarmante që tregon për nivelin e lartë të pakujdesisë në rrugët tona.
Në të njëjtën periudhë janë raportuar 58 aksidente, prej të cilave 31 me persona të lënduar, ndërsa 27 të tjera kanë rezultuar vetëm me dëme materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima, por numri i të lënduarve mbetet i lartë dhe alarmues.
Përveç kësaj, policia ka ndërmarrë edhe veprime të tjera në terren: 13 persona janë arrestuar, ndërsa 7 prej tyre janë dërguar në mbajtje, për vepra të ndryshme penale.
Autoritetet apelojnë për më shumë përgjegjësi nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik dhe theksojnë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet, në përpjekje për të parandaluar humbjet në njerëz dhe dëmet materiale që po shkaktohen çdo ditë./04 Online