Kanë mbetur edhe 15 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa në mungesë të një marrëveshjeje politike, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend deri më 28 prill, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Megjithatë, pavarësisht kalimit të kohës, partitë politike ende nuk kanë arritur një dakordim për emrin e presidentit të ri, shkruan Reporteri
Kurti ka theksuar vazhdimisht gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje politike që do të shmangte zgjedhjet e reja, të cilat, sipas tij, nuk do të sillnin ndryshime të ndjeshme në përbërjen e Kuvendit.
“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje për numrin e nevojshëm prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera, është vështirë që ta paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona, me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe”, ka deklaruar ai.
Në kuadër të konsultimeve, javën që shkoi ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili është vlerësuar si konstruktiv, ndërsa janë paralajmëruar edhe takime të tjera gjatë ditëve në vijim.
Pas takimit, Abdixhiku ka bërë të ditur se nuk ka pasur zhvillime konkrete.
“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë dhe nuk na është kërkuar ende asgjë.”
Ai ka theksuar se procesi duhet të fillojë me parimet dhe jo me emra konkretë, duke e cilësuar këtë çështje si konsensuale.
“Jo, s’ka gjasa të vetëpropozohem, sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë… Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja.”
Nga ana tjetër, Kurti ka paralajmëruar edhe një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke theksuar se posti i presidentit përfaqëson unitetin e qytetarëve dhe kërkon përfshirje më të gjerë politike.
Megjithatë, nga PDK-ja kanë bërë të ditur se nuk kanë pranuar ende një ftesë zyrtare për takim dhe kanë kërkuar që iniciativa e kryeministrit të konkretizohet përmes një letre zyrtare, para se të shqyrtohet në organet e partisë dhe të merret një qëndrim përfundimtar.
Ndërkohë sot, deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, është shprehur optimist se brenda afatit kushtetues mund të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se të gjitha subjektet politike duhet të bëjnë përpjekje për evitimin e zgjedhjeve.
“Unë mendoj se takimet kanë këtë synim, të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim nga kriza e cila na ka përcjellë gjatë javëve të kaluara sa i takon çështjes së presidentit. Unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe do t’i shterojmë të gjitha mundësitë. Tani kemi kohën përpara, janë edhe shumë ditë në dispozicion dhe unë mendoj se secili nga akterët politikë duhet ta bëjë maksimumin e vet që të vijmë te një zgjidhje sa i takon kreut të shtetit dhe të evitohen zgjedhjet, të cilat nuk janë të dëshirueshme për askënd.”, tha ai për rtv21.
Në këto rrethana, ndërsa afati kushtetues po afrohet, mbetet e paqartë nëse spektri politik do të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, apo vendi do të përballet me një proces të ri zgjedhor brenda 45 ditëve.













































