Në ndeshjen e Ligës U14 te vajzat, ndërmjet KB Junior 06 nga Prizreni dhe KB Hyjneshat nga Prishtina, në qendër të vëmendjes ishte paraqitja e jashtëzakonshme e 14-vjeçares Sara Rexhaj.
Takimi u mbyll me rezultat 93:57, ndërsa Rexhaj realizoi plot 55 pikë në 37 minuta lojë, duke dominuar parketin dhe duke dëshmuar potencial të jashtëzakonshëm për moshën e saj. Performanca e saj ra dukshëm në sy, si për efikasitetin në shënim, ashtu edhe për vetëbesimin dhe pjekurinë në lojë.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë paraqitje është fakti se Sara këtë sezon po regjistron mesatare prej 37.4 pikësh për ndeshje në Ligën U14 – një shifër e rrallë për këtë kategori moshe dhe dëshmi e potencialit të saj të jashtëzakonshëm.
Sara Rexhaj është pjesë e Përfaqësueses U14 dhe konsiderohet si një prej talenteve më premtuese në basketbollin femëror në Kosovë. Paraqitje të tilla konfirmojnë zhvillimin e saj të vazhdueshëm dhe rolin e rëndësishëm që mund të ketë në të ardhmen e sportit tonë.
Me këtë performancë, Rexhaj jo vetëm që ndihmoi ekipin e saj drejt një fitoreje bindëse, por edhe dërgoi një mesazh të qartë për potencialin që po rritet në kategoritë e reja të basketbollit femëror. /AsistiOnline.com/
















































