126 sulme dhe ngacmime seksuale në 2023, rastet po vazhdojnë edhe në këtë fillimvit

0
152

Vazhdojnë të raportohen raste të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale në Policinë e Kosovës edhe në fillimvitin 2024. Disa raste u raportuan këto ditë. Në Kaçanik dje u arrestua një person i moshës madhore nën dyshimin se ka abuzuar seksualisht me një vajzë të moshës nën 16-vjeçare, e që më pas e kishte mbyllur në banesë. Lajmi u bë publik pas denoncimit që vajza bëri në polici, të cilët më pas edhe e liruan nga banesa. E të tilla raste, vetëm në muajt janar-tetor 2023 u raportuan 126 (ngacmime dhe sulme seksuale).

Rastet e ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale dhe dhunimeve nuk kanë të ndalur në vendin tonë. Nga Policia e Kosovës kanë thëne për Gazetën Express se vetëm gjatë vitit të kaluar nga janari e deri në tetor u regjistruan 70 raste të ngacmimeve seksuale dhe 56 raste të sulmeve seksuale. E gjatë tërë vitit 2022, në Policinë  e Kosovës ishin raportuar 93 raste të ngacmimeve seksuale dhe 69 raste të sulmeve seksuale.

Këto janë shifra shqetësuese e ku thuajse çdo ditë po raportohen. Shpeshherë pre e këtyre rasteve janë edhe të miturit.

Kështu dje në Kaçanik një e mitur nën moshën 16 vjeçare e kishte njoftuar policinë se po mbahej e mbyllur në një banesë nga një i dyshuar.

I dyshuari E.K. është ndaluar nga Policia nën dyshimin se ka abuzuar seksualisht me të miturën.

E dje Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale E.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e moshës nën 16 vjet – me të cilën do të kryente veprën penale “Dhunimi”.

Po ashtu, ndaj të njëjtit, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se “me datë 09.01.2024, në Kaçanik, përkatësisht në një banesë që më parë ishte shfrytëzuar si zyrë, i pandehuri si person madhor, në mënyrë të kundërligjshme e ka privuar nga liria viktimën e ndjeshme –të dëmtuarën e mitur, pasi që kishte dal nga banesa e kishte mbyllur nga jashtë të dëmtuarën me të cilën do të kryente veprën penale ‘Privimi i kundërligjshëm i lirisë’”.

Aktualisht ai gjendet në ndalim policor për 48 orë.

Edhe sot Policia përmes raportit 24 orësh njoftoi se kanë arrestuar një person nën dyshimin se e ka dhunuar një grua para tri ditësh. Ngjarja kishte ndodhur në Ferizaj.

“Ferizaj 08.01.2024. Me datë 10.01.2024 viktima femër kosovare ka njoftuar  se me datën e lartcekur ishte dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Më 1 janar poashtu u arrestua një burrë në Prishtinë, nën dyshimin për sulm seksual ndaj një gruaje.

“Prishtinë / 01.01.2024 – 12:30. Një mashkull kosovar është arrestuar për shkak se i njëjti dyshohet se e ka sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Në konsultim me prokurorin janë kryer ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Në po të njëjtën ditë, u arrestua një person për tentim dhunimi n ë Mitrovicë, po që më pas me vendim të prokurorit u la i lirë.

“Mitrovicë / 01.01.2024 – 02:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se në një motel ka tentuar ta dhunojë viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, pati njoftuar policia.

E me 5 janar një burrë lajmëroi se vajza e tij ishte sulmuar seksualisht nga një person i panjohur në rrugë.

“Gjakovë  26.12.2023 – 17:50. Më 05.01.2024 është paraqitur në stacion policor ankuesi mashkull kosovar dhe i njëjti ka deklaruar se vajza e tij është sulmuar seksualisht nga një person i panjohur në rrugë. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, pati njoftuar policia.

Këto janë vetëm disa nga rastet që kanë ndodhur ditëve të fundit në vend./Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here