Sot, më 1 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Karrocës, nuk festohet thjesht një simbol, por fuqia, rezistenca dhe dinjiteti i çdo personi që e përdor karrocën si mjet lëvizjeje. Kjo ditë na kujton që barazia nuk është thjesht fjalë, por e drejtë që duhet të realizohet për secilin pa dallim.
Në regjionin e Prizrenit, si dhe në gjithë Kosovën, personat në karrocë ende përballen me paragjykime të rënda, pengesa në qasje, dhe mbi të gjitha mungesën e përkrahjes institucionale. Në një shtet ku ligji për pensionet e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve ekziston në letër, por në praktikë mbetet vetëm premtim, është e padrejtë që shumë persona me aftësi të kufizuara mbesin pa përkrahje financiare.
Komisionet mjekësore, të cilat në vend që të jenë ura drejt mbështetjes, shpesh janë bërë pengesa kryesore për të mohuar të drejtat e shumë personave në karrocë. Kjo padrejtësi duhet të ndalet!
Zëri i Karrocës Sonë duhet të jetë më i fuqishëm!
Ne nuk mund të presim më që dikush tjetër të na japë të drejtat tona – është koha që vetë komuniteti të bashkohet, të ngrejë padi ligjore kundër komisioneve mjekësore që mohojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
• Pse duhet të luftojmë për një pension që na takon?
• Pse duhet të dëshmojmë dhimbjen dhe vuajtjen para një komisioni që mbyll sytë ndaj realitetit?
• Deri kur të vazhdojë ky diskriminim?
Ne nuk kërkojmë lëmoshë – kërkojmë të drejtat tona ligjore!
Sot, në këtë ditë të shënuar, bëjmë thirrje:
✔️ Komisionet mjekësore të mbajnë përgjegjësi ligjore për çdo padrejtësi që kanë bërë.
✔️ Shteti të zbatojë ligjin për pensionet në mënyrë të drejtë dhe transparente.
✔️ Pengesat arkitektonike të largohen nga institucionet publike.
✔️ Shoqëria të ngrejë zërin kundër paragjykimeve dhe diskriminimit.
Zëri i Karrocës Sonë është i fortë, dhe nuk do të heshtë më!
Nëse shteti nuk e respekton ligjin, atëherë ne do ta çojmë betejën tonë deri në fund – në gjykata dhe në çdo institucion vendimmarrës.
Në emër të çdo personi që sot përballon pengesa dhe padrejtësi:
Asnjë e drejtë më pak!
Asnjë hap prapa!
HANDIKOS Prizren
ZëriKarrocës
DrejtësiPërTëGjithë
NukHeshtimMë
Shkruan: Merita Shala – Drejtoreshë Ekzekutive në “Handikos” – Prizren
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online