Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, ka prezantuar vizionin e tij për zhvillim ekonomik, turizëm të qëndrueshëm dhe mbështetje për bizneset lokale, shkruan 04 Online.
Ai ka theksuar se nëse merr besimin e qytetarëve më 12 tetor, do të nisë menjëherë zbatimin e projekteve konkrete që synojnë nxitjen e punësimit dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët.
“Prizreni që duam është qytet që fiton çdo ditë!
Në 6 muajt e parë do të funksionalizojmë zonën ekonomike në veri dhe do të hapim një zonë të re në jug me qasje në autostradë.
Bizneset do të mbështeten me digjitalizim, marketing dhe grante për gratë dhe të rinjtë sipërmarrës.
Do ta bëjmë Prizrenin destinacion turistik gjatë gjithë vitit: me festivale, panaire, turizëm malor e rural, e me markën “Made in Prizren” që promovon prodhimin vendor.
Kjo është rruga jonë për një qytet që punon, zhvillohet dhe jeton çdo ditë!”
Abrashi shtoi se plani i tij synon jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe gjallërimin kulturor e social të qytetit, duke e bërë Prizrenin shembull të bashkëpunimit, inovacionit dhe jetës urbane dinamike.