Kandidati i Bashkimit Demokratik për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka zhvilluar takime me qytetarë dhe mbështetës në zonën e Vërrinit, duke filluar nga Billusha e Poslishti e deri në Hoçë të Qytetit. Në këto takime, Berisha ishte i shoqëruar nga bartësi i listës Shukri Quni dhe kandidatët për Kuvendin Komunal, Pranverim Berisha, Sefidin Islamaj, Ismet Buduri dhe Shani Berisha, shkruan 04 Online.
Në adresimin e tij para qytetarëve, Berisha tha se në Vërri nuk kishte ardhur vetëm për të kërkuar votën, por si biri i këtij vendi që e njeh dhe e ndien çdo rrugë, çdo hall e çdo djersë të njerëzve të këtij rajoni.
“Sot në Vërri nuk kam ardhur thjesht për të kërkuar votën tuaj, kam ardhur si biri i këtij vendi, si dikush që e njeh dhe e ndien çdo rrugë, çdo hallë e problem, çdo djersë që është derdhur në këto fusha e male.
Vërrini nuk është vetëm i rëndësishëm për Prizrenin, është zemra e tij punëtore, kulturore dhe kombëtare.
Ne do ta trajtojmë Vërrinin me seriozitetin që meriton, jo vetëm me fjalë, por me projekte konkrete që ndryshojnë jetën.”
Berisha prezantoi edhe disa nga angazhimet konkrete që do të përfshihen në programin e tij për Vërrinin, përfshirë krijimin e një zyre lokale për këshilla bujqësore dhe asistencë teknike, lehtësim të qasjes në subvencione për bletarët, blektorët dhe fermerët, investime në furnizimin me ujë të pijshëm në Hoçë të Qytetit dhe Billushë, riorganizimin e linjave të transportit publik për lidhje më të mira mes fshatrave dhe qytetit, si dhe udhëtim falas për nxënësit, zhvillimin e turizmit rural në zonën e Jeshkovës dhe te Gurra e Poslishtit.
“Të bashkohemi të gjithë, të dalim në votim dhe ta bëjmë Vërrinin një vend më të mirë për ne dhe fëmijët tanë. Dalimi ynë nga të tjerët është i qartë; NE për Prizrenin, vendosim në Prizren!”, shtoi Berisha.