Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka thënë se për të politika është përgjegjësi, jo retorikë boshe, shkruan 04 Online.
Ai tha se çdo fjalë që e jep, është e mbështetur në besim, përvojë dhe plan konkret për t’u realizuar.
“Fjala ime nuk është premtim i zbrazët, por përgjegjësi e marrë me vetëdije. Asnjëherë nuk kam folur për diçka që nuk e kam besuar me bindje të plotë. Asnjëherë nuk kam dhënë zotim pa ditur saktësisht rrugën për ta realizuar.”
Selmanaj shtoi se për të, qeverisja është akt përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe se çdo zotim i tij do të ketë bazë reale në program dhe veprim konkret.
“Unë nuk premtoj për të marrë duartrokitje, por për ta mbajtur fjalën. Sepse për mua, të qeverisësh nuk do të thotë të hedhësh fjalë në erë, por të qëndrosh pas çdo fjale që e ke dhënë. Ky ka qenë gjithmonë parimi im, dhe ky do të mbetet udhërrëfyesi im çdo ditë në shërbim të qytetarëve.”