Fituesi i Ligës së Kampionëve, legjenda e ekipit kombëtar, heroi i Baselit – por mbi të gjitha, Xherdan Shaqiri është një njeri familjar. Ylli i futbollit flet për lidhjen e tij të ngushtë me prindërit, rikthimin në Basel dhe dëshirën për të pasur fëmijë.
Xherdan Shaqiri është një nga futbollistët më të suksesshëm në historinë e Zvicrës. Pas dymbëdhjetë vitesh jashtë vendit, ai është rikthyer në qytetin e tij të lindjes – Basel.
Një djalë, i veshur me fanellën e FC Basel, ndalet me ngurrim në Munsterplatz. Pastaj mbledh guximin dhe afrohet. “A mund të bëj një foto me ty?”, pyet ai me zë të ulët. Xherdan Shaqiri lë espresson e sapoporositur.
“Po, sigurisht, por të lutem, nxito”, i përgjigjet kapiteni i Baselit. Pastaj ngrihet, i vendos dorën mbi shpatullën e djalit dhe bëjnë një fotografi.
I thjeshtë dhe i afrueshëm, ylli i FC Basel përshëndet me dorë një tifoz tjetër në bregun tjetër të lumit Rajn.
Prej kohësh, entuziazmi rreth tij ka qenë pjesë e përditshmërisë. Me trupin e tij 169 centimetra të gjatë, qafë të gjerë dhe pulpa të fuqishme, Shaqiri vështirë se lëviz lirshëm nëpër qytet.
“Më pëlqen të jem jashtë në qytet, por duhet të planifikoj saktësisht se kur dal. Të shtunave është më e vështirë”, thotë ai me të qeshur.
Zakonisht e pranon me qetësi afrimin e fansave.
“Në fakt, nuk them kurrë jo.” Por ka edhe momente kur nuk është e përshtatshme – për shembull, gjatë darkës me miqtë apo familjen.
“Ndonjëherë më kërkojnë edhe selfie në tualet. Do të doja shumë t’u tregoja çfarë mendoj, por gjithsesi nuk e bëj.”
Legjendë me shumë nofka
Nga kafja, Shaqiri shkon drejt tragetit të Munsterit.
“Nuk kam hipur në këtë traget prej kohësh”, thekson ai, ndërsa zbret shkallët drejt bregut të Rajnit.
Nuk është çudi që njihet kudo. Golat spektakolarë për ekipin kombëtar në Kampionatet Evropiane dhe Botërore e kanë kthyer në një legjendë.
Në 1/8 e finales së Euro 2016 kundër Polonisë, Shaqiri realizoi një nga golat më të bukur në historinë e turneut me një gjuajtje fluturimthi me këmbën e majtë.
Ai ka lënë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare me klube si Bayern Munich dhe Liverpool. Me të dyja, ai ka fituar trofeun më të lakmuar, Ligën e Kampionëve. Nuk është çudi që turistët spanjollë kërkojnë selfie me “Xhuxhin Magjik”, “Kubin e Fuqisë” ose “Messin e Alpeve”.
Cila është nofka e tij e preferuar? Shaqiri mendon për një çast dhe thotë:
“Të gjitha janë qesharake. Më pëlqen thjesht Shaqiri. Por miqtë e mi më quajnë Xherdi”.
Si në shtëpi
Shaqiri kalon lumin Rajn me tragetin e Munsterit.
“Nuk e kam bërë këtë për një kohë të gjatë”, thotë ai përsëri.
Pas dymbëdhjetë vitesh jashtë vendit, së fundmi në Çikago, sulmuesi është kthyer në qytetin e lindjes. Në gusht të vitit 2024, ai u rikthye te FC Basel, klubi i fëmijërisë. Euforia ishte e jashtëzakonshme. Ai nënshkroi kontratë deri në vitin 2027.
Në sezonin e tij të parë, e udhëhoqi klubin drejt titullit të kampionit, i pari pas tetë vitesh dhe më pas edhe drejt triumfit në Kupë.
“Ishte një ëndërr e madhe për mua të fitoja përsëri trofe me FCB. Që kjo ndodhi që në vitin e parë, e bën edhe më të mrekullueshme”, thekson ai.
Ai ishte i vetëdijshëm që po hiqte dorë nga një pagë shumë më e lartë.
“Nuk doja të shkoja në Arabinë Saudite, ku mund ta kisha shijuar jetën në luks. Për mua ishte një vendim i sinqertë”, tha ai.
Familja mbi gjithçka
Xherdani tani jeton sërish në Kaiseraugst AG, në të njëjtin pallat me prindërit. Ka edhe një apartament në Cyrih dhe së shpejti do të ndërtojë shtëpinë e tij në Rheinfelden AG.
“I shoh prindërit pothuajse çdo ditë”, tregon ai.
Dëshira e tij më e madhe gjithmonë ka qenë që nëna Fatimja dhe babai Iseni të mos kenë më nevojë të punojnë.
“Kjo ndodhi që kur nënshkrova kontratën time të parë profesionale, para 14 vitesh”, thotë me krenari. “Çdo gjë që erdhi pas kësaj ishte vetëm ëmbëlsirë për mua.”
Në shtëpinë e prindërve janë ekspozuar të gjitha trofetë dhe medaljet nga karriera e tij.
“Është pothuajse si një muze”, thotë Shaqiri. “Kur vijnë mysafirë, ata i shikojnë të gjitha.”
Fatimja dhe Iseni janë gjithmonë pranë tij edhe në stadium.
“Ata vijnë në çdo ndeshje, madje edhe jashtë. Ndonjëherë më duhet t’i ndaloj që të mos shkojnë kudo me makinë”, tha ai.
Vendet e tyre në “Joggeli” janë gjithmonë të njëjtat.
“Kur hyj në stadium, gjëja e parë që shikoj janë ata, para dhe pas ndeshjes.”
Nga varfëria në sukses
I lindur në vitin 1991 në ish-Jugosllavi, Xherdan Shaqiri erdhi si fëmijë në Zvicër me familjen nga Kosova. Ai u rrit në një fermë të vjetër në Augst – pa luks.
“Mendoj se është mirë të përjetosh të dy anët: kur ke pak dhe papritmas ke shumë. Prindërit na mësuan vlera si respekti dhe mirënjohja”, theksoi ai.
Në vitin 2007, Shaqiri veshi për herë të parë fanellën e Zvicrës me ekipin U17. Që atëherë, karriera e tij ka qenë në ngritje.
Pavarësisht suksesit, ai nuk komenton për spekulimet rreth pasurisë së tij, e cila thuhet se sillet nga 20 deri në 50 milionë franga zvicerane.
Në moshën 33-vjeçare, është mes lojtarëve më të vjetër profesionistë. Por ai nuk shqetësohet për moshën.
“Unë jam si vera – bëhem më i mirë me kalimin e kohës,” thotë me shaka.
Pastaj bëhet serioz: “Shkoj shpesh në fizioterapi dhe kujdesem më shumë për dietën time”, tha ai. Deri tani, ka pasur fat që ka shpëtuar nga dëmtimet.
Pa fanellën e Zvicrës, por me paqe në shpirt
Shaqiri nuk pendohet që u tërhoq nga Kombëtarja në korrik 2024.
“Nuk më mungon për momentin. Kalova shumë mirë dhe mendoj se u ndala në kohën e duhur”, thekson ai.
Ky vendim i solli më shumë pushim dhe paqe shpirtërore. “Isha gjithmonë në qendër të kritikave. Çfarë bën ai tani? Pse bërtet? Nuk kam më nevojë për këtë”, tha Shaqiri.
Ai mohon të ketë pasur ndonjëherë mosmarrëveshje me trajnerin Murat Yakin.
“Nuk kemi pasur kurrë ndonjë problem të madh mes nesh. Sigurisht, kohët e fundit nuk kam pasur hapësirën e dëshiruar në fushë – kjo ishte një nga arsyet për largimin tim. Pjesa tjetër ishin thjesht spekulime”, tha ai për Blick.
Shaqiri nuk përjashton një rikthim në të ardhmen.
“Kurrë mos thuaj kurrë,” është motoja e tij. “Mendoj se ekipi përfaqësues është në rrugën e duhur dhe për momentin nuk ka nevojë për mua”. Ai buzëqesh.
“XS 10” nuk po mendon ende për tërheqjen nga futbolli.
“Mendoj se njerëzve u pëlqen mënyra ime e lojës. Dua t’u sjell gëzim dhe t’u ofroj diçka pozitive në fushë”, thotë ai.
Jashtë fushës, Shaqiri tashmë po ndërton bazat për të ardhmen. Si aksionar në klubin FC Rapperswil-Jona, ai është i përkushtuar ndaj futbollit dhe po punon për të marrë licencën e trajnerit. Ai po planifikon edhe një të ardhme në jetën private.
“Të krijoj një familje është padyshim një nga qëllimet e mia më të mëdha. Por kjo kërkon kohë”, thotë ai, pa zbuluar më shumë detaje.
Trageti arrin në bregun e Kleinbasel. Turistët nxjerrin celularët, ndërsa disa fëmijë e thërrasin me emër.
Xherdan Shaqiri buzëqesh dhe i përshëndet me dorë. Kjo është jeta e përditshme për dikë që, prej kohësh, është më shumë sesa thjesht një futbollist në qytetin e tij të lindjes.