Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kuvendin Komunal të Prizrenit, Samir Selmani, ka theksuar nevojën për zhvillimin e një koncepti të ri të turizmit në qytetin historik, shkruan 04 Online.
Ai tha se do të angazhohet që Prizreni të ketë një turizëm më të organizuar, më të qasshëm dhe më atraktiv për vizitorët vendas e të huaj.
“Në Kuvend do të ngre zërin për një turizëm ndryshe në Prizren — më të organizuar, më të qasshëm dhe më atraktiv për vizitorët tanë.
Do të kërkoj më shumë tabela orientuese për turistët, guida profesionale, si dhe transport të mirëorganizuar brenda qytetit.
Po ashtu, do të punoj për bashkërendim më të mirë mes institucioneve, agjencive turistike, hotelerisë dhe gastronomisë, në mënyrë që Prizreni të ofrojë përvojën që e meriton çdo vizitor.”
Selmani theksoi se turizmi është një ndër sektorët më të rëndësishëm për ekonominë lokale dhe se me përkushtim institucional, Prizreni mund të bëhet një prej destinacioneve më të vizituara në rajon.