Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal të Prizrenit, Fejzë Kabashi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 12 tetorit, të cilat i ka cilësuar si vendimtare për mirëqenien e qytetarëve të komunës, shkruan 04 Online.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Kabashi kërkoi mbështetjen e tyre për kandidatin për kryetar të komunës, Driton Selmanaj, si dhe për veten, me numër 20 në listën e kuvendarëve të LDK-së.
“Të ndershëm qytetarë të komunës së Prizenit, na ndajnë pak ditë para zgjedhjeve të 12 tetorit të cilat janë të rëndësisë së veçantë për mirëqenien e secilit prej nesh.
Kërkoj mbështetjen e secilit prej jush për të votuar LDK 113 me z.Driton Selmanaj për kryetar të komunës dhe mua me numër 20 në listën e kuvendarëve të LDK-së.
Ky vend prej ku unë kërkoj mbështetjen tuaj, nga 13 tetori do të shërbej për takimet tona të përjavshme e kërkesat tona të vazhdueshme.”
Kabashi theksoi se angazhimi i tij do të jetë i përqendruar në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimin e kërkesave të tyre për zhvillimin e Prizrenit.