Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë datë si një ngjarje që ka tronditur edhe popullin e Kosovës.
Ai ka theksuar se lidhja mes shqiptarëve dhe Amerikës është e fortë dhe e pandashme.
Haradinaj ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars 1999, të udhëhequr nga SHBA, duke e quajtur atë një moment vendimtar për jetën dhe ekzistencën e popullit të Kosovës.
“Fati i popullit tonë edhe jeta jonë edhe ekzistenca jonë është e lidhur me Amerikën. Më 24 marsin e vitit 1999 kur Amerika i priu NATO-s ndërhyri pra në luftën e Kosovës. Duke filluar fushatën ajrore, bombardimin e caqeve serbe të regjimit të Millosheviqit atëherë dhe ndihmoi ndaljen e luftës. Kjo ndjenë e tillë e një lidhje të jetës të gjakut të popullit tonë të Kosovës, shqiptarëve me Amerikën është e fuqishme. Jemi tronditur me 11 shtator me sulmin terrorist me humbjen e shumë jetëve të pafajshme ndër ta edhe shqiptarë dhe edhe qeveria e Kosovës në të kaluarën ka ngritur një memorial i cili është modest por në kujtim të viktimave të 11 shtatorit. Atëherë ka qenë traditë që ditën e sulmit terrorist ta fillojmë së pari me nderim edhe me kujtim, ashtu siç kemi thënë që i kujtojmë e pastaj të vazhdojmë ditën e punës edhe sot vepruam kështu.”, ka deklaruar Haradinaj.