Stresi, nuk prek vetëm mendjen!

0
443

Ekspertët paralajmërojnë se stresi nuk është vetëm një gjendje mendore, por mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në shëndetin fizik. Dhimbjet e shpinës, barkut apo kokës shpesh lidhen me tensionin emocional, ndërsa në disa raste simptomat mund të sinjalizojnë edhe probleme serioze shëndetësore.

Psikologu klinik Steven Tovian nga Feinberg School of Medicine shpjegon se stresi shkakton një reagim të të gjithë trupit, duke rritur presionin e gjakut dhe nivelin e hormoneve si kortizoli. Sipas neurologes dr. Alicia Walf, ky proces përfshin edhe mekanizmin “lufto ose ik”, që aktivizon adrenalinen dhe çliron glukozë nga mëlçia për t’i dhënë energji trupit në situata të vështira.

Ekspertët theksojnë se efektet e stresit janë individuale: disa njerëz humbasin oreksin, të tjerë ndiejnë tension në muskuj, dhimbje shpine ose shqetësime në stomak. Kur stresi është kronik ose i pakontrolluar, rritet rreziku për probleme inflamatore, sëmundje kardiovaskulare, migrenë apo ulcera.

Psikiatrja dr. Ashwini Nadkarni nënvizon rëndësinë e diagnostikimit të saktë: “Dhimbja e kokës mund të jetë pasojë e stresit, por gjithashtu edhe simptomë e një tumori në tru. Ndaj ekzaminimi i kujdesshëm është jetik.”

Specialistët rekomandojnë që, përveç trajtimit mjekësor, të ndërtohen strategji për menaxhimin e stresit: gjumë të rregullt, ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik dhe mbështetje sociale. “Qëllimi është të jemi ne ata që kontrollojmë stresin dhe jo e kundërta”, thonë ekspertët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here