Bakteret nga goja mund të shkaktojnë atak në zemër?

0
96

Bakteret që zakonisht ndodhen në zgavrën e gojës mund të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në shkaktimin e atakeve kardiake, sipas një studimi të ri nga Universiteti i Tampere në Finlandë.

Shkencëtarët analizuan pllaka arteriale nga mbi 200 pacientë me sëmundje të arteries koronare dhe zbuluan përqindje të larta të baktereve orale. Sipas tyre, ky është një provë e fortë që lidh shëndetin oral me shëndetin kardiovaskular.

“Roli i baktereve në sëmundjen koronare është dyshuar prej kohësh, por kanë munguar prova të qarta. Ne kemi zbuluar ADN të disa baktereve orale brenda pllakave aterosklerotike”, shpjegoi profesori Pekka Karhunen.

Studimi, i botuar në Journal of the American Heart Association, u përqendrua tek ateroskleroza – grumbullimi i yndyrës, kolesterolit dhe kalciumit në arterie – që është shkaku kryesor i infarktit të miokardit. Testet treguan se biofilmet bakteriale, kryesisht streptokokë oralë, ishin të pranishëm në mbi 42% të pllakave të analizuara.

Prania e tyre lidhej drejtpërdrejt me raste të rënda të aterosklerozës dhe me vdekshmëri të lartë nga sulmi në zemër, veçanërisht kur pllaka shpërthente. Studiuesit theksojnë se këto biofilme janë të paarritshme për sistemin imunitar dhe mund të aktivizohen nga infeksione të tjera, dieta e dobët ose stresi, duke shkaktuar komplikime fatale.

Rezultatet nënvizojnë rëndësinë e madhe të shëndetit oral për parandalimin e sëmundjeve të zemrës. “Ky zbulim hap mundësi të reja për diagnostikim dhe parandalim të komplikimeve fatale të arteriosklerozës”, përfundon studimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here