Qytetarë nga Lajamanu verior, një zonë e largët e Australisë, po pretendojnë se nga qielli kanë rënë peshq, shkroi DailyMail të martën.
Sipas banorëve, pranë zonës pati stuhi të madhe shiu, por me të, binin edhe peshq. Një pretendim të tillë e ka edhe këshilltari lokal i shkretëtirës lokale, Andrew Johnson Japanangka, që tha se pritej vetëm shiu, por ra edhe “diçka tjetër”.
“Kur nisi shiu, pamë edhe peshq që binin. Disa ranë në tokë, e disa në çati. Fëmijët i morën dhe po i mbajnë në shishe ose kavanoz”, deklaroi ai.
Zyrtari australian tha se pellgjet e shiut janë mbushur me peshq, e kjo sipas tij, është gjëja më e mahnitshme që ka parë ndonjëherë.
Por, një fenomen i tillë kishte ndodhur në vitet 1974, 2004, 2010 dhe 2016. Ekspertët thonë se kjo ka mundur të ndodhë nga tornadot e forta që tërheqin ujin dhe peshqtë nga lumenjtë.