Përdorimi i telefonëve smartphone nga fëmijët nën 13 vjeç ka ndikime negative në shëndetin mendor të tyre, madje duke i bërë ata që të kenë mendime jo të mira për veten.
Një studim i ri i botuar në Revistën për Zhvillimin dhe Aftësitë Njerëzore nxorri në pah se fëmijët që përdorën smartphone përpara se të mbushnin 13 vjeç kishin më shumë gjasa të përjetonin mendime vetëvrasëse, vështirësi në rregullimin emocional, vetëvlerësim të ulët, agresivitet dhe shkëputje nga realiteti, sipas studimit
Ekspertët panë se vajzat ishin më të prekura nga përdorimi i smartphone-ve sesa djemtë: 9.5 % e vajzave të anketuara rezultuan të ishin “në vështirësi” me shëndetin e tyre mendor, krahasuar me 7 % të djemve – pa marrë parasysh vendin e tyre të origjinës.
Gjithashtu u evidentua se fëmijët nën moshën 13 vjeç kishin më shumë gjasa të përjetonin: çrregullime të gjumit, bullizëm kibernetik dhe marrëdhënie të tensionuara me anëtarët e familjes.
Studiuesit krijuan një “vlerësim të përgjithshëm të shëndetit mendor” për secilin fëmijë, bazuar në 47 funksione sociale, emocionale, njohëse dhe fizike dhe dolën në përfundimin se sa më gjatë të ketë pasur një fëmijë qasje në një smartphone, aq më i ulët ishte vlerësimi i shëndetit të tij mendor.