Zyrtarë të policisë e familjarë të politikanëve shkelin vendimin e kufizimit

0
429

Polica e Kosovës është institucioni që po e mbikëqyr zbatimin e masave të kufizimit për pandeminë COVID-19. Megjithatë, shefi i Njësive Speciale, Amir Gërguri, të shtunën, vetë ka bërë shkeljen e tyre.

Ai është parë në ambient të hapur së bashku me një zyrtar policor dhe me drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj. Siç i kanë thënë KOHËS burimet, dhe nga pamjet e fotove të siguruara, këta zyrtarë shtetërorë kanë qenë në shoqëri edhe të vëllezërve të politikanëve Hashim Thaçi e Rustem Mustafa, përkatësisht N. Thaçi dhe B. Mustafa.

Në “piknik”, ku nuk munguan birrat dhe mezja, bëhet e ditur se kanë qenë edhe persona të tjerë, përfshirë Blerim Poterën, person i njohur për drejtësinë.

Shefi i Njësive Speciale, Amir Gërguri, nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se nuk ka autorizim për të folur për këtë çështje.

Ndërkohë, gazeta ka kontaktuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se në përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit, sfida më e madhe ka qenë mbrojta e jetës e të burgosurve. Haxhiu ka konfirmuar pjesëmarrjen e Buleshkaj në këtë “piknik”, raporton KOHA.

“Kam parë me shqetësim prezencën e z.Buleshkaj në një piknik në kohë pandemie i shoqëruar me shumë persona. Ky është veprim i papërgjegjshëm.

Në kohën kur institucionet e Kosovës kanë nxjerrë vendime me qëllim të ndalimit të përhapjes së virusit corona dhe po bëhet thirrje institucionale në respektim të tyre dhe që të qëndrojmë në shtëpi”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, veprimi i tij është në shpërputhje me përgjegjësitë e tij. Ajo ka paralajmëruar se do të marrë masa për këtë çështje.

Leave a Reply