Vetëvendosje paralajmëron protesta për rrëzimin e qeverisë!

0
22

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje po shqyrton mundësitë e organizimit të protestave, që në formë demonstrative të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Megjithatë daljen në rrugë, VV po e sheh si opsion të dytë, vetëm në rast se partia e Isa Mustafës, LDK nuk procedon në Kuvend mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë “Haradinaj”. Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Albulena Haxhiu, i ka thënë “Gazeta Blic” se ka një serë arsyesh për të cilat kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi.

“Konsiderojmë që vendimi për mosprocedim të mocionit për rrëzimin e Qeverisë, në rrethana të tilla, ku nuk kalon asnjë ditë pa ndonjë skandal, dhe ku vendin e ka kapluar kriza, padrejtësitë, mjerimi e pabarazia, është i padrejtë sepse aq keq është gjendja saqë çdo ditë e kësaj qeverie në pushtet është dëm i madh për vendin e qytetarët. Ne i kemi 58 nenshkrime dhe duhet proceduar me mocion. Por kjo nuk ka ndodhur për shkak se gp i LDK ka pasur qendrim tjeter, dhe nuk e kuptoj arsyen. Patjeter qe do te kete aktivitete e angazhime shtese”, ka thënë ajo. E në këto rrethana, Haxhiu pohon se VV nuk do të rrij duarkryq, duke paralajmëruar edhe protesta. “Nëse nuk procedohet mocioni, patjetër që organizimet qytetare janë të domosdoshme dhe ne do të punojmë në këtë drejtim”, ka thënë deputetja Haxhiu. Ndërsa bashkëpartiaku i saj, deputeti Sami Kurteshi, i ka thënë Gazetës Blic se ende nuk kanë vendosur diçka në lidhje me protestat, por nuk e ka mohuar organizimin e tyre.

“Ne nuk kemi vendos diçka të ngjajshme në mbledhjen e kryesisë, sigurisht kohën e ardhshme do të vendosim se çfarë do të ndërmarrim po unë së paku nuk jam i informuar për një veprim të tillë për protesta, por ajo nuk përjashtohet kurrë sepse veq shteti është në zhbërje e sipër” ka thënë Kurteshi. Ai pret që pa u bërë vonë LDK-ja, ta dërgojë në Kuvend mocionin për rrëzimin e qeverisë, duke premtuar mbështetje të kësaj nisme. “Mocioni për rrëzimin e qeverisë kurdo që të paraqitet ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi të gatshëm për ta mbështetur, megjithëse e kishim paraqit me mirë dje se nesër, por duket se ka hezitim nga të tjerët”, tha Kurteshi duke aluduar tek LDK-ja, si partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës. E për njohësin e çështjeve politike në vend Krenar Shala opozita është e pakoordinuar sa i përket rrëzimit të qeverisë. Ai është i mendimit se pa mbështetjen e një partie në pushtet nuk pritet rënia e kësaj qeveria, raporton Gazeta Blic.

“Mendoj që opozita nuk është duke mundur qe ta rrëzoj qeverinë duke e patur parasysh që qeveria nuk e gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve të kuvendit. Kjo do të thotë që opozita nuk ka mirëbesim në mes veti dhe si pasojë, nuk pritet që të rrëzohet qeveria pa mbështetjen e ndonjë parti që është aktualisht në pushtet”, ka thënë ai. Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje, që nga ndarja e saj është treguar pasive në organizimet me qytetarë. Protesta e fundit që është organizuar nga ta ishte ajo kundër Kryeprokurorit Aleksander Lumez, e cila nuk pati jehohnë të madhe. /Gazeta Blic/

Leave a Reply