Vdekja e tmerrshme e 30 vjeçarit në Prizren, mohohet vetëvrasja dëshmitarët japin një version tjetër

0
206

Në orët e hershme të mëngjesit së ditës së hënë, në rrjete sociale është shpërndarë videoja e një nate më parë në Prizren, ku një person pa jetë shihet i shtrirë. Në media është raportuar se i ndjeri kishte bërë vetëvrasje, por në fakt sipas dëshmitarëve, ai nuk kishte bërë vetëvrasje por kishte rënë nga ballkoni fqinjit së tij. Policia thotë se asnjëherë nuk ka thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje.

Por se si ndodhi ngjarja, e kanë treguar dëshmitarët për Express në kushte anonimiteti.

I ndjeri, Sh.K., rreth 30-vjeçar, sipas dëshmitarëve, e kishte harruar çelësin e banesës së tij dhe për këtë e kishte të pamundur që të hynte brenda në banesë, në rrugën “Joni” të Prizrenit.

Sh.K. kishte kërkuar ndihmë nga fqinji i tij një kat më lart, që ta shfrytëzonte banesën e tij në mënyrë që nga ballkoni i komshiut, të kalonte në ballkonin e tij një kat më poshtë. Fqinji kishte pranuar, ndërsa për të shtuar masat e sigurisë, ai e kishte lidhur një litar në belin e tij në mënyrë që të mos binte.

Por fatkeqësia ndodhi kur litari i tij u këput dhe tashmë i ndjeri ra nga kati i pestë.

E për këtë, në kushte anonimiteti kanë folur edhe dëshmitarët.

“Ka qenë një krismë e madhe, por ishte errësirë dhe nuk kemi parë asgjë. Nga krisma menduam se ishte ndonjë aksident i rëndë. Më vonë janë dëgjuar shumë zëra që kërkonin të thirrej ndihma e parë dhe e kuptuam që kishte rënë nga ballkoni” tha dëshmitari.

Ndërsa, në momentin që i ndjeri kishte rënë, “ai e kishte litarin ende të lidhur në bel, ka mundur të këputet apo të zgjidhjet”.

“Më vonë erdhi policia dhe përmes dritave të policisë e kemi parë më qartë trupin e më pas autoritetet i  larguan qytetarët në mënyrë që të bëhen hetimet e duhura.” tha dëshmitari për Express, duke shtuar se “trupi është larguar rreth orës 00:00, ndërsa deri në orën 01:00 kanë qëndruar duke e pastruar vendin nga gjaku”.

“I është lutur fqinjit që ta shfrytëzojë banesën, e tani edhe atë e ka vendosur në një pozitë shumë të keqe sepse ia shfrytëzoi ballkonin e tyre për ta bërë një zgjidhje” tha dëshmitari.

Se kështu ka ndodhur rasti, dyshon edhe policia. Vesel Gashi nga Policia e Prizrenit, tha se i ndjeri Sh.K. ka rënë nga ballkoni e nuk ka pasur për qëllim të bëjë vetëvrasje.

“Ne nuk e kemi thënë që është vetëvrasje. Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Po i presim hetuesit që ta zbardhin rastin” tha Gashi i cili shtoi se rasti “është duke u hetuar si vdekje e dyshimtë”, duke e konfirmuar se dëshmitarët i kanë thënë fjalë të ngjashme edhe policisë për të gjithë ngjarjen. /GazetaExpress/

Leave a Reply