Totaj prezanton projektin për transformimin e Parkut Qëndror dhe parking nëntokësor për 711 vetura

0
309

Kandidati për Kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj i shoqëruar nga deputetja dhe arkitektja Eliza Hoxha, ka prezantuar sot projektin e dytë të madh për qytetin.

Transformimi i Parkut Qëndror të Prizrenit dhe ndërlidhja e tij me parkingun e ri nëntokësor që do të ndërtohet me kapacitet për 711 vetura është zotimi tjetër që ai ka shpalosur për qytetarët.

“Parkun Qëndror të Prizrenit do ta transformojmë në katër vitet e ardhshme. Kënde të reja rekreative, hapësira për fëmijë e të moshuar e do të mbjellim qindra drunjë të ri për ta rigjallëruar mushkëritë e qytetit tonë. Krahas parkut do të rregullojmë edhe shtratin e Lumbardhit – për t’i dhënë bukuri momenteve që kalojmë andej. “, ka thënë Totaj.

“Kjo nuk është e gjitha sepse parkun do ta lidhim me parkingun e ri nëntokësor që do ta ndërtojmë tek stadiumi i ri ndihmës – me kapacitet prej 711 veturave. Parkingu do t’u jap përgjigje kërkesave të spitalit, stadiumit, kampusit universitar dhe turistëve të shumtë, posaçërisht atyre që vijnë nga Shqipëria. Bashkë me qytetarët – ndryshimi për Prizrenin po vjen. “, ka shtuar ai.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe arkitektja Eliza Hoxha ka thënë se ky projekt i Kryetarit Totaj do t’ua përmirësojë jashtëzakonisht shumë cilësinë e jetesës qytetarëve të Prizrenit.

“Si profesioniste, ju them se ky është pikërisht projekti për të cilin ka nevojë Prizreni. Gjelbërim, infrastrukturë, shkarkim të qytetit nga veturat dhe përmirësim i cilësisë së jetesës.”, ka thënë deputetja Hoxha.

“Shaqir Totaj është profili i menaxherit dhe politikanit që ka nevojë Prizreni. Përvoja e tij është garanci për qytetarët e Prizrenit që këto projekte do të realizohen në kohë rekorde. Prizreni i ka humbur katër vite, prandaj Kryetari Totaj është shpresa për t’ia kthyer dinjitetin këtij qyteti historik.”, ka thënë ajo.

Leave a Reply