Totaj i PDK-së premton ndërtimin e 4 çerdheve në Prizren

0
285

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj ka premtuar investime në arsim, nëse fiton balotazhin e 14 nëntorit.

Totaj në Debat Pernime ka premtuar se nëse bëhet kryetar i Prizrenit, brenda mandatit të tij do të ndërtohen edhe 4 çerdhe të reja.

Ai tha se çështje serioze është se shumë shkolla të Prizrenit, kanë ushtrues detyre të drejtorëve.

“Diku 26 shkolla në Prizren nuk kanë drejtorë, kanë ushtrues detyre. Për me mujtë me tregu çka do të bëjmë në vitet e ardhshme duhet të identifikohen problemet. Së pari duhet të zgjedhim një drejtor ose drejtoreshë të DKA-së, person i cili e njeh arsimin dhe menaxhimin në sferën e arsimit, pastaj emërohen drejtorët kompetentë me kritere profesionale”, tha Totaj.

Kandidati i PDK-së për Prizrenin është zotuar se do të ketë transparencë në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave të Prizrenit duke thënë se “ku do të marrin pjesë ndoshta edhe mediat dhe shoqëria civile për të parë se me të vërtetë zgjedhim drejtorë kompetentë”.

Tutje ai shoti se do të rriten investimet në infrastrukturën e shkollave dhe sidomos tek digjitalizimi i shkollave.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prizrenit, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prizren: Mytaher Haskuka nga Lëvizja vetëvendosje (LVV) dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor në Prizren, kandidati i LVV-së Mytaher Haskuka ka marrë 40,41% të votave, kurse Shaqir Totaj nga PDK-ja ka siguruar 31,36 %./Kallxo.com

Leave a Reply