Tetë mjekë e infermierë në Prizren dolën pozitivë me COVID-19

0
803
Foto: Arkiva - Ilustrim

Tetë mjekë e infermierë të Spitalit Rajonal të Prizrenit mbrëmë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Ata janë raste kontakti të infermieres, e cila doli pozitive para dy ditësh. Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Shehu i ka thënë Gazetës Express se nga rastet e konfirmuara mbrëmë, tetë prej të infektuarve janë punëtorë shëndetësorë të Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe një rast është familjar i infermieres, që rezultoi pozitive para dy ditësh.

“Mbrëmë janë konfirmuar nëntë raste të reja me koronavirus në Prizren. Tetë prej të infektuarve janë nga Spitali Rajonal i Prizrenit dhe vetëm një është familjar. Në mesin e të infektuarve nga Spitali i Prizrenit janë mjekë e infermierë, sa kam informacione nga reparti i dializës”, ka thënë Shehu.

I pari i shëndetësisë në këtë komunë ka deklaruar se sot pritet të bëhet testimi i së paku 34 personave, që kanë pasur kontakt me të infektuarit.

“Sot pritet të testohen 34 mostra, por ka mundësi që gjatë ditës të shtohen edhe 10 mostra, ende nuk është e sigurt”, ka thënë Shehu për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 39 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Me këtë shifër, numri i të gjithë të infektuarve shkon në 669 raste. Deri tani janë shëruar 159 të infektuar, derisa 19 të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin.

“Sot më 23 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e nëntë (39) raste”, ka njoftuar Instituti.

Rastet e konfirmuara mbrëmë janë raste kontakti nga Peja, Prizreni, Mitrovica e Veriut, Istogu dhe Zveçani.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë (26) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë), nëntë (9) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e IKShP-së.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Gazeta Express

Leave a Reply