Synohet krijimi i rrjetit nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike brenda qendrës historike të qytetit

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pritur në takim Kryeshefin ekzekutiv të KEDS-it, Alper Erbaş, me ç’rast kanë biseduar për projekte të ndryshme.

Në këtë takim është folur edhe për realizimin e projektit që ka të bëjë me krijimin e rrjetit nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike brenda qendrës historike të qytetit. Siç ka njoftuar Haskuka, paraprakisht do të bëhet një analizë e detajuar dhe punimet do të fillojnë jashtë sezonit veror.

“Me kryeshefin ekzekutiv të KEDS-it, Alper Erbaş, biseduam për projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me komunën tonë.

Njëri prej projekteve kryesore është ai për krijimin e rrjetit nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike brenda qendrës historike të qytetit. Për këtë, para se të fillojnë punimet do të bëhet një analizë e detajuar, si dhe u dakorduam që punimet të fillojnë jashta sezonit veror, duke pasur parasysh që fluksi i turistëve është më i madh gjatë verës.

Gjithashtu shprehëm edhe kërkesat tona të tjera, përfshirë këtu edhe shtrirjen e rrjetit të sistemit elektrik në malin Cylen, të cilin synojmë ta shndërrojmë në destinacion të ri turistik, si dhe në Parkun e Biznesit dhe në disa zona të tjera të qytetit”, ka thënë Haskuka./04online.info