Zurich konfirmon se Kryeziu dhe Kololli mund të luajnë vetëm kundër Moldavisë

0
449

Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu do të jenë në gjendje t’i ndihmojnë Kosovës në ndeshjen e saj hapëse në edicionin e ri të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë, por jo edhe kundër Greqisë, njofton klubi i tyre Zurich, për shkak të komplikimeve të shkaktuara nga pandemia koronavirus.

Për shkak se Zvicra do t’i detyronte të futeshin në karantinë dyjavëshe sapo të ktheheshin nga Kosova, Zurich nuk ka pranuar t’i lejojë dy futbollistët e saj kosovarë të paraqiten për kombëtaren dardane kundër Greqisë më 6 qershor në Prishtinë, raporton Gazeta Express.

Kosova do ta presë Greqinë në ndeshjen e rrethit të dytë në Grupin 3 të Ligës C, të dielën në stadiumin Fadil Vokrri, dhe përveç Kryeziut dhe Kolollit, nuk do të mundë të llogarisë as në Milot Rashicën.

Kosova është në listën e zezë të Zvicrës dhe Gjermanisë si vend i rrezikut të lartë me pandeminë Covid-19.

“Në konsultim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe pas konsultimit me autoritetet shëndetësore të Zvicrës, FCZ, së bashku me Kolollin dhe Hekuran Kryeziun, kanë vendosur që ata të lirohen vetëm për ndeshjen e parë në Itali kundër Moldavisë. Kjo për arsye se FCZ nuk i liron lojtarët për ndeshje në zonat e rrezikut të lartë, siç është Kosova”, thuhet në një komunikatë për media të klubit zviceran.

Ata, bashkë me Rashicën e Werder Bremenit, do t’i bashkohen pjesës tjetër të ekipit kombëtar në Itali dhe do të kthehen në klubet e tyre menjëherë pas takimit të së enjtes.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, tha të hënën në një konferencë për media se do të detyrohet t’i krijojë dy ekipe në një hapësirë prej tri ditëve për dy ndeshjet e këtij muaji.

Shqetësimi i tij, megjithatë, mbetet takimi i tetorit, kur Kosova përballet me Maqedoninë e Veriut në play-off-in e sezonit të kaluar të kësaj gare, një rrugë alternative për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020, i cili do të mbahet më 2021.

Leave a Reply