Yllin e favorizon forma e mirë, Pejën tradita

0
33
Foto: Arkiva

Seria prej tetë fitoreve e ka ndihmuar Golden Eagle Yllin të arrijë aty ku nuk ishte më parë – në finale të Kupës së Kosovës në basketboll. Skuadra suharekase këtë vit ka fituar gjashtë ndeshje kampionale, që i kanë shërbyer për të ngritur formën dhe për të gjetur ritmin për turneun final të Kupës. 

Për Kupë, Ylli fitoi çerekfinalen dhe gjysmëfinalen, për të dërguar serinë në tetë fitore. Tash Ylli synon të bëjë edhe hapin tjetër e njëkohësisht të vazhdojë serinë – të fitojë finalen me Pejën dhe të sigurojë trofeun e parë në basketbollin kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja finale e Kupës së Kosovës për edicionin 2019\2020 luhet të shtunën (sot, 20:30) në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.  Përballë Golden Eagle Yllit do të jetë Peja. Peja ka plot trofe të fituar gjatë historisë, por kalimi i saj në finale përbën po ashtu një tregim të veçantë suksesi. 

Edicionin e kaluar Peja nuk ishte fare pjesë e garave dhe klubi me nam as që kishte aktivitet. Klubi ishte i shuar pas krizës së thellë financiare. 

Por një mobilizim i afaristëve të mëdhenj të qytetit të Pejës bëri që skuadra me të cilën mburren pejanët të kthehet në gara në shtator dhe menjëherë të shfaqë pretendime të mëdha. 

Tash Peja është një larg hap larg për të fituar trofeun e parë të edicionit. Pritet një finale dramatike, me lojë të hapur deri në fund. Po ashtu palestra “Mizahir Isma” në Rahovec pritet të jetë e mbushur me shikues, duke përfshirë edhe tifo-grupet e të dy skuadrave finalisteve. Vlerësohet se Peja ka në përbërje lojtarë më cilësorë, sidomos të vendit, derisa përparësi e Yllit vlerësohet të jetë komponimi i ekipit, pasi lojtarët luajnë me gjatë së bashku. 

Ylli ka pasur orar më të vështirë në turneun final të Kupës. Të mërkurën e mposhti Sigal Prishtinën në çerekfinale, ndërsa të enjten Bashkimin. Peja në çerekfinale të martën fitoi ndaj Ponte Prizrenit, ndërsa në gjysmëfinale, të enjten e mposhti organizatorin e turneut të Kupës, Rahovecin. 

Leave a Reply